Negociatat/ Dy deputetë gjermanë zbarkojnë në Tiranë
Dy deputetë gjermanë socialdemokratë, Metin Hakverdi dhe Christian Petry zbarkojnë në Tiranë dhe Shkup pak ditë para vendimit për çeljen e negociatave në Këshillin e BE.
Në një intervistë për Deutsche Welle, deputeti Metin Hakverdi thekson se kushtet e vendosura pak javë më parë nga Bundestagu për Shqipërinë mund të ndikojnë te vendet skeptike.
“Fakti që për Shqipërinë u prezantua tani një katalog me kushte që duhen plotësuar, me kushte edhe të reja, nuk ka të bëjë me ne. Ka të bëjë me vendimin që mori Unioni Kristiandemokrat Kristiansocial. Por kjo mund të jetë në favor, sepse mund lehtësojë vendet e tjera që të marrin vendim pozitiv”, tha deputeti.
I pyetur mbi qëndrimin e fundit të Holandës, deputeti gjerman hodhi poshtë se ishte një “jo” e prerë për Shqipërinë.
“Dje në Hagë u mblodh “Komisioni për çështjet europiane” i parlamentit holandez. Ka qenë një takim këshillues i përgatitur më parë. Nuk u dha “Jo” e qartë, por palët nuk kanë qenë të unifikuara në vendimin e tyre. Ministri holandez i Jashtëm, nuk ka dhënë përgjigje të qartë për qëndrimin që mban qeveria holandeze. Që do të thotë se duhet të presim çfarë vendimi do të marrë qeveria. Siç thashë, vendimi i marrë nga Gjermania mund të ndihmojë vendet e tjera, sepse kushtet e vëna mund t’i hapin rrugën Holandës që të marrë vendimin “Po me kushte. Me sa di unë Kushtetuta në Holandë është e njëjtë si në Gjermani. Vendimi i Parlamentit nuk është i detyrueshëm për qeverinë. Por, pyetja është a do ia lejojë vetes qeveria që të marrë vendim të ndryshëm nga ai i parlamentit. Në fakt, kjo është një gjë e vështirë. Nga pikëpamja juridike mundësia ekziston. Këtu tek ju në rajon njerëzit kujtojnë se Holanda ka marrë vendim. Kjo nuk është e vërtetë. Holanda nuk ka marrë ende vendim, dhe vendimi që ka marrë nuk është absolut”, tha Metin Hakverdi.