Negociatat, Greqia kërkon varret e ushtarëve në jug të Shqipërisë
Greqia sërish i ka kujtuar Shqipërisë se afrimi i saj në familjen europiane dhe raportet e mira fqinjësore kushtëzohen nga çështje të cilat Tirana zyrtare ende nuk po i adreson.
Për presidentin Prokopis Pavlopoulos, një nga to vijon të mbetet gjetja e varreve të ushtarëve grekë të rënë gjatë luftës italo-greke në jugun e Shqipërisë gjatë viteve 1940-41.
Këtë deklaratë kryeshtetari grek ua përsëriti të familjarëve dhe drejtuesit të Unionit të të Afërmve të Personave të Rënë në Frontin Shqiptar.
“Shpresoj shumë që fqinjët tanë shqiptarë më në fund do e lënë pas retorikën e papranueshme që e vazhdon prej dekadash. Dhe do doja t’i kujtoja se qëndrimet e Greqisë për raportet tona dypalëshe por edhe për perspektivën europiane të Shqipërisë, varen shumë nga ndryshimi i këtij pozicioni.”
Sipas drejtuesit të unionit, George Sourlas, betejat në Epirin Verior kundër forcave fashiste gati 80 vite më parë do i kushtonin jetën 8 mijë ushtarëve grekë.
Eshtrat e shumë prej tyre nuk janë gjetur për t’u varrosur me nder nga të afërmit.
“Ne e falënderojmë presidentin Pavlopoulos për ndërhyrjet dhe përpjekjet e tij përballë palës shqiptare. Gjetja e operacioneve të kërkimit të eshtrave nisi dy vite më parë dhe shpresojmë që shkëlqesia e tij do vijojë ta mbështetë këtë kauzë kombëtare e njerëzore.”
Prej vitesh, Shqipëria po zbaton marrëveshjen për varrezat e ushtarëve grekë në vend, një nga të cilat është vendosur të ndërtohet në Këlcyrë.
/Ora News