Negociatat “kalojnë” nga Athina, Tsipras kërkon ndarjen e kufirit detar me Shqipërinë
Pas arritjes së marrëveshjes për kufirin detar me Italinë, opozita greke kërkon mbylljen e bisedimeve edhe me Shqipërinë. Ish-kryeministri grek Aleksis Tsipras thotë se para largimit la gati planin ligjor. Çështja ka interes edhe për Shqipërinë tani në prag të fillimit të negociatave. Përveç kufirit, presion nga Athina vjen edhe për të drejtat e minoritetit.
Të drejtat e minoritetit grek në Shqipëri dhe ndarja e kufirit detar do të jenë në tryezën e diplomatëve tani që Tirana zyrtare bëhet gati të fillojë bisedimet e pranimit me Bashkimin Europian.
Pas arritjes së marrëveshjes për përcaktimin e zonës ekskluzive ekonomike me Italinë, Athinës i mbetet mbyllja e negociatave me Shqipërinë, Egjiptin dhe Turqinë. Në lidhje me rastin e Shqipërisë, ish-kryeministri Aleksis Tsipras i tha gazetës Kathemerini se para largimit të tij nga zyra kishte miratuar procesin ligjor.
Në fakt, bisedimet mes Tiranës dhe Athinës kanë ngrirë dhe është e paqartë nëse qeveria e tanishme e kryeministrit Kyriakos Mitsotakis do të përdorë planin e hartuar nga ish-ministri i Jashtëm Nikos Kotzias apo do të hartojë një plan të ri.
Problemi më i madh i Greqisë është me Turqinë dhe për këtë Aleksis Tsipras thotë se Turqia nuk duhet lejuar ta zgjerojë kufirin detar me 6 milje.
Ndërkohë për çështjen e të drejtave të minoritetit grek në Shqipëri, Komisioni Europian i zotohet Athinës për ta mbajtur vazhdimisht nën kontroll. Kjo gjë do të fillojë që gjatë hapjes së kapitullit të 23-të për gjyqësorin dhe të drejtat themelore si dhe në raportin vjetor që do të botohet në vjeshtën e këtij viti.
Duke kërkuar llogari për tensionet e datës 5 prill të këtij viti në Himarë, eurodeputeti grek i Agimit të Artë Ioannis Lagos, i kërkon Komisionit të kërkojë ndëshkimin e autoriteteve që kanë shkelur të drejtat e njeriut. Eurodeputeti i referohet ndërhyrjes së policisë pas ngritjes së një kryqi ortodoks.
Në përgjigjen me shkrim, Komisioneri për Zgjerimin Oliver Varhelyi, ndërsa thekson se BE-ja u kushton rëndësi të drejtave themelore, shton se janë autoritetet shqiptare që duhet ta trajtojnë rastin.