Negociatat, maratona e radhës drejt BE-së
Nga Lufti Dervishi
Nga thirrja e studentëve në dhjetor të vitit 1990 të shekullit të kaluar, te hapja e negociatave, alias konferenca e parë ndërqeveritare, kanë kaluar 32 vjet. Studentët që thirrën “Liri Demokraci” pas 45 vjetësh nën diktaturë, sot i kanë kaluar të pesëdhjetat; një pjesë e tyre i kanë fëmijët studentë, një pjesë po bëhen gjyshër. Nëse llogarisim rënien e murit të Berlinit si momenti i përfundimit të Luftës së Ftohtë, kanë kaluar tri dekada dhe tre vjet! 33 vjet tranzicion! Imagjino një të ri shqiptar në përfundim të Luftës së Dytë Botërore më 1945 të përjetojë vitin 1978 (vëllazërimin dhe më pas armiqësinë me jugosllavët, vëllazërimin dhe armiqësinë me rusët, vëllazërimin dhe armiqësinë me kinezët).
Gjatë këtyre 33 vjetëve, Shqipëria ka ndryshuar; nga iluzioni lirisë dhe mrekullisë më 1992, te prag gremina e 1997-tës, te nënshkrimi marrëveshjes së stabilizim-asociimit me BE-në më 2006, te anëtarësimi në NATO më 2009, te aplikimi për statusin e vendit kandidat më 2009, te lëvizja e lirë në hapësirën Shengen më 2010 dhe te marrja e statusit të vendit kandidat më 2014. Busulla politike, ndryshe nga dekadat e komunizmit, nuk ka patur luhatje. Si vend nuk kemi patur një plan B përveç integrimit në strukturat euro-atlantike. Si individë, përveç planit A, kemi aplikuar planin 1A: anëtarësimin individual.
Për brezin e pesëdhjetë-vjeçarëve, siç konstaton një koleg, vendi ka ndryshuar shumë dhe shpejt. Për brezin e fëmijëve të pesëdhjetë-vjeçarëve vendi ka ndryshuar pak dhe ngadalë! Rruga e gjatë dhe padurimi për ta parë Shqipërinë “si gjithë Europa”, ka bërë që shqiptarët të emigrojnë më shumë se çdo komb tjetër në kontinent gjatë këtyre tri dekadave të fundit. Më shumë se një e treta e shqiptarëve ka emigruar. Mbi 600 mijë shqiptarë tashmë jetojnë dhe punojnë në Greqi, mbi 500 mijë në Itali dhe qindra mijëra të tjerë në vendet e tjera të BE-së. Plani 1A, largimi në mënyrë individuale, është në veprim edhe sot e kësaj dite. Nëse i referohemi statistikave, mesatarisht çdo ditë lënë vendin 111 banorë. Pra një pallat boshatiset çdo ditë. Pse ikin? Kanë mundësi për te ikur. Vendet pritëse kërkojnë fuqi punëtore dhe tek e fundit çdokush bën llogaritë dhe planet e veta për një jetë më të mirë. Çfarë e bën jetën më të mirë në vendet e BE-së? (hapësirës që kujdeset më mirë se kushdo tjetër në planet për qytetarët e vet- thoshte ish kancelarja gjermane Merkel).
Nuk është gjuha, feja, apo aq më tepër e shkuara ajo çfarë e bën bashkë sot një suedez dhe një portugez, një grek dhe një gjerman, një polak dhe një italian, një bullgar dhe një francez, por është vetëm një togëfjalësh: shteti ligjor! Të bëhesh anëtar do të thotë që në gjithë hapësirën e BE- qytetarët e saj të kenë të drejtë të lëvizin lirshëm, të kërkojnë punë ku duan, të studiojnë dhe jetojnë ku të duan. Do të thotë që një vendim gjykate të respektohet nga të gjithë, do të thotë që të drejtat e njeriut janë të shenjta, do të thotë që respektimi i pakicës të kthehet në normë, do të thotë që ekonomia e tregut të jetë funksionale, media e lirë dhe gjykatat të pavarura. Dhe mbi të gjitha një administratë profesionale.
Meqë ndodhemi në sezonin turistik, do të thotë që një turist gjerman të ketë të njëjtën siguri kur ble ushqime si në supermarketin e Berlinit, ashtu edhe në atë të Durrësit. E njëjta edhe për shqiptarin. Sado paradoksale të duket i gjithë ky transformim do të realizohet përmes “negociimit të 33 kapitujve”. Pse po merr kaq shumë kohë rrugëtimi drejt BE-së?
Anëtarësimi do të thotë që të përafrosh legjislacionin deri në detaje, dhe kjo është një punë tejet voluminoze, do të thotë që të kesh administratë dhe institucione që garantojnë zbatimin e këtij ligji në terren dhe kjo kërkon shumë kohë dhe mbi të gjitha të kesh institucione që vlerësojnë si zbatohen ligjet. Loja kryesore nuk sillet rreth individëve dhe liderëve, por rreth institucioneve dhe menaxherëvë. Qëllimi final: një ambient institucional, ekonomik, politik i ngjashëm me vendet e tjera të Unionit. Por nëse për jetën e një individi, 30 vjet janë shumë, për një institucion 30 vjet janë moshë foshnjore.
Shqipëria ka 22 vjet që merret me kapitujt…. Hapja e pritshme enegociatave, nuk është momenti zero. Disa punë janë bërë dhe shumë të tjera mbeten për t’u bërë.
Që prej vitit 1998, Komisioni Europian përgatit “raport progresin” për çdo vend që aspiron për t’u bërë anëtar. Më 2016, titulli i raportit ndryshoi: nga “Progres Raport” në “Country Report”. Ndryshoi titulli i raportit, por jo përmbajtja. Në raport janë struktuar 33 kapituj për të cilat Shqipërisë i duhet të “negociojë”. Negociojë në thonjëza sepse nuk ka shumë vend për negociim, përjashto një hapësirë të ngushtë që lidhet me specifikat që ka vendi.
Kapitujt- janë “kushtetuta e re” e vendit dhe mekanizmi që do të bëjë transformimin rrënjësor të jetës institucionale, politike dhe ekonomike të vendit.
Kapitujt: 1.Liria e lëvizjes së njerëzve; 2.Mallrave; 3. Shërbimit; dhe 4. Kapitaleve, 5.Prokurimi publik; 6.Ligji për kompanitë; dhe 7. Pronësinë intelektuale; 8. Konkurrenca, 9. Shërbimet financiare; 10. Informacioni dhe Media; 11. Bujqësia; 12. Siguria ushqimore; 13 Peshkimi; 14. Transporti, 15.Energjia 16.Taksat; 17.Politika ekonomike dhe monetare; 18. Statistikat; 19. Punësimi dhe sigurimi social; 20. Ndërmarrjet dhe politikat industriale; 21. Rrjeti europian i transportit; 22. Politika rajonale, 23. Gjykatat dhe liritë themelore; 24.Drejtësia, liria dhe siguria; 25.Kërkimi shkencor, 26.Arsimi dhe kultura; 27. Mjedisi dhe ndryshimet e klimës; 28. Konsumatori dhe mbrojtja e shëndetit; 29. Bashkimi doganor; 30. Marrëdhëniet me jashtë; 31. Politikat e sigurisë dhe të mbrojtjtes; 32. Kontrolli financiar, 33. Financat dhe buxheti.
Imagjino për një moment që në Shqipëri të gjithë kapitujt të jenë punë e kryer sipas standarteve që kërkon BE. Aktualisht Shqipëria mund të hapë dhe mbyllë “brenda ditës” dy kapituj: Që sot kemi “dritën jeshile” për marrëdhëniet me jashtë dhe politikat e sigurisë dhe të mbrojtes, por ndërkohë kemi vlerësim “të pakalueshëm” – dritën e kuqe në 11 kapituj (liria e levizjes njerëzve, bujqësia, siguria ushqimore, peshkimi, transporti, punësimi dhe politikat sociale, mjedisi, mbrojtja e shëndetit, buxheti dhe parashikimet buxhetore) dhe “dritën e verdhë” për 20 kapituj të tjerë!
Sa të përgatitur jemi ne për të negociuar për 31 kapitujt e mbetur? Nëse Kroacia për këtë proces kishte 1000 ekspertë/negociatarë, Shqipëria dyshoj se i ka 50. Koha mes hapjes së një kapitulli dhe mbylljes së tij është relative dhe varet më shumë nga ne se sa nga BE.Negociimi i kapitujve mund të marrë më pak se tre vjet (Lituania, Letonia, Sllovakia); mund të marrë më pak se pesë vjet (Polonia, Estonia, Sllovenia, Bullgaria, Rumania) mund të marrë më pak se 6 vjet (Kroacia), por mund të edhe të marrë më shumë se 10 vjet dhe të mos shohësh fundin siç po duket rasti i Malit të Zi dhe Serbisë që kanë “hapur negociatat” respektivisht më 2012 dhe 2014.
“Asgjë nuk ndryshon realisht në negociata pas hapjes së një kapitulli. Nuk ka më shumë para. Nuk ka më shumë vëmendje. Nuk ka aktivitete shtesë. Hapja e kapitujve nuk është shpërblim. Hapja e kapitujve nuk është nxitje apo sinjal për të tjerët. Hapja e kapitujve nuk e bën më të mundshëm përparimin në të ardhmen”, shkruan Gerald Kanus në raportin e fundit të ESI: “Ballkani, gara e breshkës”!
Sa kohë do t’i duhet Shqipërisë për të qenë gati për në BE? 10, 20 apo 30 vite të tjera? Koha është relative dhe ka gjëra që nuk varen nga ne. Por përkthimi, përthithja dhe zbatimi i 33 kapitujve është puna e madhe që duhet bërë dhe kjo është një punë që nuk e japim dot me koncesion, duhet ta bëjmë vetë. Në fund të këtij procesi të gjatë e rraskapitës ka shumë pak rëndësi data e anëtarësimit apo edhevetë anëtarësimi. Duke përdorur analogjinë e Presidentit Macron, mund ta kemi të ardhmen në nje shtëpi me 30 anëtarë, ose mund të jetojmë në të njejtën rrugicë!
Tek e fundit, mund të zgjedhim të përfundojmë si Norvegjia apo Zvcra, që kanë preferuar të mos jenë anëtarë të BE-së, por qytetarët e këtyre vendeve jetojnë nën “rule of law” (shtetin e së drejtës) me mundësi për të prosperuar në bazë të aftësive, dhe në një lojë demokratike ku rregullat janë të barabarta për të gjithë. Shqipëria nuk është një vend i varfër as nga burimet natyrore, as nga burimet njerëzore. Eshtë një vend me fat që ka fituar “llotarinë gjenetike” dhe ndodhet në BE. Tani e ka fatin në dorë për të vendosur sa shpejt dëshiron të mbarojë maratonën e 33 kapitujve.
Hapja e shumëpritur e negociatave nuk është momenti për shampanjë. Medaljet nuk jepen kur je në hapin e parë të maratonës, por kur mbërrin në finish. Shampanjën e hapjes së negociatave e kemi konsumuar njëherë më 2018. Eshtë momenti për të menduar se si do të shkohet deri në fund të kapitullit 33!