Negociatat mund të hapen brenda disa javësh, Varhelyi: Tirana ka bërë “përparimet serioze”

Negociatat për Shqipërinë dhe Maqedoninë e Veriut mund të hapen brenda disa javësh. Komisioneri për Zgjerimin Oliver Varhelyi shpreson që me raportet që Komisioni do të publikojë për të dy vendet të bindë të gjithë anëtarët e bllokut. Nga Praga ku mori pjesë në takimin Vendet e Vishegradit – Ballkani Perëndimor, Varhelyi vlerësoi “përparimet serioze” të Tiranës dhe Shkupit. 

Çështja e bisedimeve të pranimit për Shqipërinë dhe Maqedoninë Veriore që u bllokua tetorin e kaluar mund të marrë një kthesë pozitive brenda disa javëve. Kjo është shpresa e komisionerit për Zgjerimin Oliver Varhelyi i cili deklaroi se Tirana dhe Shkupi kanë shënuar “përparime serioze” me reformat.

“Shpresoj shumë të fillojmë negociatat në javët e ardhshme me Maqedoninë e Veriut dhe Shqipërinë. Këto dy vende kanë zgjedhur të përshpejtojnë reformat në vend që t’i pezullojnë ato, pas mesazhit shumë negativ të marrë në tetor.”

Të dy vendeve iu mohua fillimi i bisedimeve të pranimit tetorin e kaluar, pasi Franca dhe një grup i vogël vendesh kërkuan reforma brenda bllokut europian.

Javën e ardhshme Komisioni Europian pritet të prezantojë një raport vlerësues për të dy vendet, i cili do të jetë bazë e vendimit që Këshilli i BE-së do të ndërmarrë gjatë takimit të tij të 26 dhe 27 marsit.

“Me këtë raport unë shpresoj me të vërtetë t’i bind vendet anëtare se dy vendet kandidate janë tëgatshme dhe se ne gjithashtu duhet të jemi të gatshëm për të hapur negociatat me to”, theksoi ai.

SHKARKO APP