Negociatat për Shqipërinë/Cakaj: Kemi gati grupin e punës

Pandemia globale e virusit do të zhvendosë fokusin e Samitit të Zagrebit, nga i cili Shqipëria priste të merrte një dritë jeshile për hapjen e negociatave me Bashkimin Europian. Ministri për Europën dhe Punët e Jashtme, Gent Cakaj thotë se tema qendrore e këtij samiti do të jetë lufta dhe përballimi i Covid-19, duke lënë në hije negociatat.

“Ideja kryesore ka qenë të flitet për cështjet kryesore që rëndojnë mbi axhendën e Ballkanit Perëndimor, sic janë çështjet nga liberalizimi i vizave për Kosovën, deri te cështja e probleme dypalëshe mes vendeve të Ballkanit, me cështjet që lidhen me zhvillimin e rajonit dhe perspektivën e rajonit. Duhet thënë se negociatat për Shqipërinë dhe Maqedoninë e Veriut janë hapur para kohës, para Samitit të Zagrebit, është po ashtu një përmbushje e objektive. Por në këto rrethana është vështirë të flitet se cfarë do të arrihet pasi tema qendrore do të jetë lufta kundër pandemisë”,tha në “Report TV”.

Shqipëria po bën gati një grup negociatorësh për hapjen e negociatave me BE. “Sikurse Maqedonia e Veriut edhe ne jemi duke punuar në ngritjen e strukturave. Ne kemi një strukturë që është funksionale, dhe ka qenë përgjegjëse për detyrimet që vijnë nga ky proces. Tani jemi në fazën e formalizimit të grupit negociator dhe grupeve të tjera që do përfshihen në këtë proces. Emrat do të bëhen publik së shpejti. Ne jemi duke punuar intensivisht në këtë drejtim, dhe është cështje ditësh ose javësh, një cështje që nuk pret deri në përfundimin e pandemisë”.

SHKARKO APP