Nën hetim ortaku i Mark Frrokut, Dzanzhvilli i arrestuar për prostitucion në Rumani

Prokuroria e Tiranës nisi hetimet për milionerin gjeorgjiano-izraelit Amiran Dzanashvili. Ai është gjithashtu edhe blerësi i kompanisë së basteve të deputetit Mark Frroku. Ndaj biznesmenit me shtetësi rumune janë regjistruar dy procedime të ndara, ku po hetohet për akuzat e evazionit fiskal, mospagim tatimesh dhe taksash, falsifikim të dokumenteve dhe akuzën e “pastrimit të parave” në bashkëpunim.

Të gjitha këto vepra, sipas prokurorisë, biznesmeni i kazinove, hoteleve luksoze dhe aksioner i disa kompanive të naftës, dyshohet se i ka konsumuar në Shqipëri nga vitit 2013 e në vazhdim. Kjo është koha që mendohet se ka filluar të investoj në Shqipëri në disa kompani, fillimisht si aksioner dhe më pas si blerësi tyre me 100 % të aksioneve, si ortak i vetëm. Për grupin hetimor, hyrja e tij në tregun e biznesit në Shqipëri dyshohet se ka patur si qëllim pastrimin e parave që kanë burime kriminale nga aktivitetet të ndryshme të paligjshme jashtë territorit shqiptar. Për hetuesit, kjo është edhe një nga pistat hetimore e dy dosjeve për të cilat po hetohet gjeorgjiano-izraelit Amiran Dzanashvili.

Ky hetim ka nisur pas arrestimit të biznesmenit në nëntor të vitit të kaluar në Rumani, si pjesë e një rrjeti të fuqishëm të shfrytëzimit dhe trafikut të femrave për prostitucion. Në pranga bashkë me Dzanashvilin kanë rënë edhe 22 persona të tjerë mes tyre biznesmene të kazinove dhe hoteleve luksoze në Rumani, të cilët dyshohen si pjesë e rrjetit të prostitucionit VIP në Bukuresht.

Investimi i tij i parë në Shqipëri është shënuar më 20 maj 2013, kur edhe ka blerë fillimisht 20 % të aksioneve të ortakut të deputetit Mark Frroku, në kompaninë e basteve sportive. Disa muaj më vonë, Dzanashvili ka blerë edhe aksionet e tjera të kësaj kompanie, duke u bërë pronar së bashku me një shtetas izraelit Ofer Nimrodi, i cili po hetohet për pastrim parash. Sipas transaksioneve të kryera, rezulton se Dzanashvili I ka kaluar deputetit Frroku dy transaksione, me rreth 340 mijë euro dhe më pas 1.4 mln euro. Origjina e kësaj shume, për prokurorët është e dyshimte. Për këtë fakt kane nisur hetimet ndaj tij si dhe ndaj deputeti për mos pagim taksash, evazion fiskal.

Por deputeti Mark Frroku nuk është biznesmeni i vetëm shqiptar që ka bashkëpunuar me Amiran Dzanashvilin. Hetuesit thonë se ai ka bashkëpunuar edhe me biznesmenë e politikanë të tjerë shqiptarë.

SHKARKO APP