Nëna e Kristit, Valbona Maze bën apelën për ndihmë

 

Sëmundja e  rrallë e vogëlushit Kristi Maze, transplanti 150 mijë Euro i papërballueshëm për familjen

Nëna e Kristit, Valbona Maze bën apelën për ndihmë

Nga Sidorela Lepri 

Rasti i Kristi Maze, vogëlushit 10 vjeçar nga qyteti i Pogradecit tashmë nuk është një rast i panjohur për publikun shqiptar. Prej më shumë se një viti, që prej diagnostifikimit të sëmundjes së Kristit, rasti i tij është publikuar në televizionin News 24 bashkë me apelin për ndihmë të familjarëve të vogëlushit.
Për të gjithë ata që ende nuk janë njohur me Kristin dhe problemin e tij shëndetësor, Kristi është nga qyteti i Pogradecit dhe prej disa ditësh është shtruar në Pavionin e Pediatrisë Speciale në katin e katërt në QSUT.
Që prej vizitës së parë në spital, ai është diagnostifikuar me Cirrozë Hepatike, si pasojë e okluzionit të venave suprahetatike, e njohur ndryshe si Budd-Chiari. Vogëlushi ka shkuar vazhdimisht në spital për kurime dhe heqjen e ujit nga barku. Në një bisedë me mamanë e Kristit, Valbonën, ajo thotë se ato e kanë çuar djalin edhe në Greqi për mjekime me shpresën se shëndeti i tij do të përmirësohej, por pamundësia ekonomike për të ndjekur të gjitha trajtimet ka bërë që të rikthehet sërish vizitave dhe trajtimeve në QSUT.
Sikurse rrëfen edhe mamaja e Kristit për gazetën “Koha Jonë”, gjendja e tij ka ardhur vazhdimisht duke u përkeqësuar nga dita në ditë, derisa u pa e nevojshme shtrimi i tij në spital. Momentalisht shëndeti i tij është i dobët, barku i fryrë, duart e ftohta dhe dhimbjet e vazhdueshme.
Por diagnoza dhe rasti i Kristit përbëjnë një situatë të rrallë, prandaj është e nevojshme të kryhet menjeherë transplanti i mëlçisë. Mjekët kanë sugjeruar që ky transplant duhet të kryhet jashtë Shqipërisë, më saktë në shtetin italian dhe kushton 150 mijë Euro.
Nisma “Të shpëtojmë Kristin e Vogël” e përhapur këto ditë në mediat sociale ka njohur edhe më shumë njerëzit me rastin në fjalë. Duke shpërndarë mesazhe sensibilizuese i bëhet thirrje çdokujt të mund të kontribuojë me aq sa mundet për Kristin. Rasti i Kristit është diskutuar mes debatesh të shumta edhe në seancën e javës së kaluar në Parlament,
Mamaja e tij tregon se deri tani janë grumbulluar 25 mijë Euro nga donator të ndryshëm dhe njerëz të thjeshtë që kanë vendosur të japin kontributet e tyre për rastin në fjalë. Ju mund të kontriubuoni në numrat e llogarive bankare të vendosura në dispozicion: Banka Credins 
llogaria në lekë; 00000629785 dhe  llogaria në euro: 00000629786.
Në një intervistë për gazetën “Koha Jonë”, mamaja e vogëlushit ndër të tjera bën apel të gjithë njerëzve për ndihmë dhe për të shpëtuar jetën  e tij.

Zonja Valbona, sa kohë u bë që Kristi është sëmurë dhe është diagnostifikuar?

U bënë gati 14 muaj që Kristi është sëmurë.

Gjatë kësaj periudhe kohore është trajtuar me medikamente?

Është trajtuar këtu në spital. Kemi ardhur për trajtimet nga Pogradeci dhe kemi ikur sërish pasi kanë mbaruar trajtimet. Tani që u përkeqësua më shumë, këmbët iu enjten, barku iu fry, kishte dhimbje dhe po bënë gati dy javë i shtruar këtu. Mjekët na kanë thënë që duhet ta çojmë jashtë Shqipërisë.

Fillimisht çfarë shqetësimesh ka pasur?

Ka qenë shumë i dobët fizikisht dhe shqetësimet kanë qenë të lehta. Më pas kanë filluar dhimbjet e barkut dhe ka ardhur duke u përkeqësuar. Duke parë gjendjen vendosëm ta sillnim këtu. Doktori që e ka marrë përsipër këtu, ka bërë gjithçka që duhej të bëhej. Ne e kemi çuar edhe në Greqi, Kristin. Doktorët na thanë ta çonim në Greqi me shpresën se do të kishte përmirësime. Me ato pak mundësi ekonomike që ne kishim e çuam në Greqi, por prapë nuk u bë gjë. Mjekët atje na thanë që kështu nuk bëhej gjë dhe do të ishte më mirë me shtet.
Ketu kemi ardhur që të enjten e kaluar dhe e trajtojnë me ilaçe.

Sa vjeç është aktualisht Kristi?

Është 11 vjeç.

Është në shkollë?

Ka shkuar javët e para të shkollës që ishte edhe pak më mirë, por tani që shëndeti është përkeqësuar jo. Në fillim kishte dëshirë të shkonte në shkollë dhe më thoshte: Dua të iki në shkollë. Unë e shoqëroja, por më pas filloi që barku ti grumbullonte prapë ujë dhe nuk shkonte dot më.

Tani çfarë iu kanë thënë mjekët?

Na kanë thënë që Kristi duhet të kryejë transplantin e mëlçisë në Itali. Doktorët na kanë thënë që atje ka mundësi të kryhet transplanti sepse ka pasur raste të tjera që kanë shpëtuar. Transplanti sa më shpejt të kryehet aq më mirë është, na thonë mjekët këtu. Tani mbetet të shikojnë sesi do të shkojë.

Sa kushton ky transplant?

Duke qenë se do të kryhet jashtë Shqiëpërisë, kushton edhe shtrenjtë, gati 150 mijë euro.

Dhe sa para janë grumbulluar deri tani?

Janë grumbulluar gati 25 mijë euro në total, bashkë me të gjitha paratë e depozituara në llogarinë bankare, kontribuesit që kanë ardhur dhe e kanë vizituar këtu Kristin dhe nga kutia e ndihmave.

Dhe së fundmi, cili është apeli juaj dhe kujt ia drejtoni?

Do të iu lutesha të gjithë njerëzve që dëgjojnë për këtë rast të japin ndihmën e tyre, sa më shpejt sepse edhe transplanti duhet të kryhet sa më parë, në mënyrë që Kristi të shërohet.

Sëmundja e Kristit

Por çfarë është cirroza hepatike?

Cirroza është gjendja në të cilën përfundon mëlçia pas sëmundjeve kronike që shoqërohen me dëmtim të qelizave të mëlçisë, fibrozë, rigjenerim nodular, dhe shtrembërim të mikroarkitekturës të mëlçisë. Fiziologjikisht, cirroza shkakton pamjaftueshmëri të mëlçisë (pamjaftueshmëri biokimiko-metabolike dhe pamjaftueshmëri të qarkullimit të gjakut në mëlçi). Megjithëse në kohët e shkuara është menduar se shkaku kryesor i kësaj sëmundje është alkoooli, në fakt ajo shkaktohet nga një sërë faktorësh të tjerë si hepatitet virale kronike, alkohole, agjente toksike dhe barnat, bllokimi i rrugëve biliare si edhe sëmundje imunitare.

SHKARKO APP