Nëna e Martinit rrëqeth me fjalët: Lërini ato karrige, nuk vlejnë më shumë se gjaku i një fëmije
Sot në një mujorin e vrasjes së Martin Canit, u mbajt një protestë. Në fjalën e saj, mamaja e Martinit, ka kërkuar dorëheqjen e të gjithë atyre që nuk mbrojtën dot vogëlushin e saj. Prindërit e Martinit kërkuan dorëhqjen e ministres së Arsimit, Ogerta Manastirliut, drejtoreshës së shkollës “Fan Noli” dhe të mësueses kujdestare të klasës së djalit të tyre.
”Kam rritur e edukuar një fëmijë, kam punuar vetë në arsim, e kam rritur me vuajtje, por ma morën, ja morën ëndrrat, me morën jetën e shpresat. Kërkoj të japin dorëheqjen ata që nuk e mbrojtën Martinin, që nga dera e shkollës e deri tek ministrja dhe Rama. Martini ishte një fëmijë i buzëqeshur, e kam çdo moment në sy! Kishte ëndrra të mëdha. Dua dorëheqjen e ministres, drejtoresha e shkollës, mësuesja kujdestare që nuk më tha asnjë fjalë. Ku ishte ajo mësuese që më thoshte në mbledhje që Martini ishte fëmijë shembullor, mblidhte shokët dhe i bënte të buzëqeshnin”, tha mamaja e Martinit, Florina.
“Nuk po them asgjë për atë fëmijë, por ama kishte parandalim për ata fëmijë. Drejtësi për Martinin dhe për Luisin. Shyqyr që ma fali zoti Luisin, sepse ai është djali im tani. Turp të të vijë Ogerta Manastirliu! Nuk erdhe të thoshe as ngushëllime. Lërini ato karrige sepse nuk vlejnë më shumë se gjaku i një fëmije”.