Nënkryetari i BDI: Keqardhje që disa shqiptarë nuk e votuan Talat Xhaferin

Nënkryetari i Bashkimit Demokratik për Integrim, Arbër Ademi e cilëson si një premtim të mbajtur të subjektit që ai përfaqëson drejtimin e qeverisë maqedonase nga një shqiptar. Ademi u shpreh se tashmë në Maqedoninë e Veriut, barrierat etnike kanë rënë, teksa nuk ka më poste të dedikuara vetëm për një komunitet.

”Këtë herë e kemi mbajtur një premtim që për shumë ishte i pamundur. Ne kemi besuar gjatë gjithë kohës dhe gjatë kësaj qeverisje u arrit akordi me partnerët e koalicionit. Në 2009, Ali Ahmeti renditi institucionet që ishin caktuar vetëm për maqedonasit dhe jo për shqiptarët.

Të gjitha këto institucione tashmë janë drejtuar dhe nga shqiptarët dhe premtimi i asaj kohe ishte kryeministri dhe kryetari i Kuvendit. Me këtë hap ne shënojmë një hap të madh drejt barazisë mes komuniteteve. Nuk ka më pozicione që janë në ekskluzivitetin e një etnie. Kryeministri shqiptar është mirëpritur gjithandej”, tha Ademi.

Nënkryetari i BDI pranoi edhe se ka ende disa qarqe nacionaliste në Maqedoninë e Veriut që nuk e pranojnë emërimin e një shqiptari në krye të qeverisë dhe shprehu keqardhjen që disa deputetët shqiptarë u bashkuan me ta dhe nuk votuan për Talat Xhaferin, në atë ditë që ai e cilësoi si një “nëntor tjetër të shqiptarisë”.

SHKARKO APP