Nënshkruhet Memorandumi i Mirëkuptimit, Klosi: 5 mln euro për Arsimin Profesional

 

Italia do jetë një nga partnerët kryesorë të vendit tonë në zhvillimin e Arsimit Profesional edhe për vitin 2016. Për këtë qëllim është nënshkruar sot në ambientet e Ministrisë së Mirëqenies Sociale dhe Rinisë, Memorandumi i Mirëkuptimit midis Shqipërisë dhe Italisë, i cili bazohet mbi Protokollin dypalësh italo-shqiptar 2014-2016, dhe që parashikon shprehimisht që “kontributi italian në arsim dhe formim profesional, prej 5 milion eurosh, do të përqendrohet në ata sektorë prodhues ku Shqipëria ka një potencial të madh dhe Italia një përvojë të shkëlqyer”, siç është bujqësia dhe agrobiznesi. Për palën shqiptare, memorandumi është nënshkruar nga ministri i Mirëqenies Sociale dhe Rinisë, Blendi Klosi, ndërsa për palën italiane, ai është firmosur nga ambasadori i Italisë në vendin tonë, Alberto Cutillo. Pas nënshkrimit të memorandumit u bë dhe një prezantim i projekteve që do të mbështeten prej tij.

Në fjalën e tij pas nënshkrimit të këtij memorandumi, ministri Klosi u shpreh se pas përurimit të laboratorit të formimit të modelistëve të këpucëve disa ditë më parë, ky memorandum është një tjetër angazhim konkret në ndihmën që qeveria italiane i jep vendit tonë në aspektin e zhvillimit të Arsimit dhe Formimit Profesional. “Jemi mbledhur sot këtu për të hedhur një hap të rëndësishëm përpara në marrëdhëniet italo-shqiptare në sektorin e arsimit dhe formimit profesional. Sot firmoset një Memorandum Bashkëpunimi midis dy vendeve tona, fryt i një pune të përbashkët disamujore të Ministrisë së Mirëqenies Sociale dhe Rinisë dhe të Kooperacionit Italian për Zhvillim. Është një investim shumë i rëndësishëm prej plot 5 milionë eurosh për Arsimin dhe Formimin”, – tha ministri Klosi në fjalën e tij.

Gjithashtu, ai vuri theksin se ky memorandum merr një rëndësi të veçantë, pasi kërkon të mbështesë ata sektorë të Arsimit Profesional, ku vendi ynë ka një potencial të madh për zhvillim, siç është bujqësia dhe agrobiznesi. “Investimi parashikon rikonstruksionin e godinave të shkollave, krijimin e laboratorëve,  të gjitha këto të një teknologjie bashkëkohore, për të realizuar në këto shkolla një arsim profesional, i bazuar tashmë në një sistem të zgjedhur dual dhe duke përfituar edhe nga përvoja e shkëlqyer italiane. Bujqësia dhe arsimi profesional janë për qeverinë shqiptare prioritete që tashmë janë afirmuar edhe nëpërmjet një sërë projektesh të suksesshme”, – u shpreh ministri Klosi.

  Memorandumi parashikon që ndihma e qeverisë italiane, në përputhje me politikat qeveritare, do të shkojë për krijimin e një qendre multifunksionale të ekselencës në sektorin bujqësor dhe agropërpunues në Fier, e aftë për të formuar teknikë të mesëm dhe të lartë në rang kombëtar, në përputhje me kërkesat e tregut të punës, si dhe kualifikimin e shkollës Mekanike Bujqësore në Lushnjë. Ndërhyrjet e parashikuara do të përfshijnë ristrukturimin e ndërtesave të shkollave, konvikteve, ndërtimin e laboratorëve dhe ambienteve të praktikave mësimore, pajisjen me makineri dhe mjete profesionale.

SHKARKO APP