Neritan Liçaj: Respektoj kolegët, por të kenë njohje institucionale
Aktori Neritan Liçaj pohon se peticioni i dërguar sot nga 54 artistë, që i janë drejtuar Presidentit Ilir Meta duke i kërkuar të firmosë ligjin që çon në shembjen e Teatrit Kombëtar dhe ndërtimin e një të riu tregon se kolegët nuk kanë njohje institucionale.
“Kanë bërë një lapsus juridik në peticion, sepse i kanë kërkuar presidencës dhe parlamentit nëpërmjet një peticioni ndërtimin e teatrit të ri. As presidenca dhe as parlamenti apo BE dhe OSBE nuk janë pushtetet ekzekutiv, pra nuk ndërtojnë teatro.
Vullneti mund të shprehet në ato institucione, që mund ta bëjnë këtë, por presidenti është garant i kushtetutës dhe ti nuk mund ti shprehësh kushtetutës vullnet, sepse kushtetuta në vetvete është vullnet.
Pra shumë miqësisht u këshilloj kolegëve të kenë një minimum njohjeje institucionale. Sa për vullnetin është e drejta e tyre ta shprehin hapur siç e kanë bërë dhe unë këtë e respektoj dhe pse nuk jam dakord për shkak të këndvështrimit tim ndryshe. Dhe pse në minorancë të theksuar kolegët tanë duhet dhe ti respektojmë”, pohon aktori Liçaj.