Nesër Kurban Bajrami, KMSH: Më shumë mirësi dhe dashuri

Nënkryetari i Komunitetit Mysliman të Shqipërisë, Bujar Spahiu, ka uruar mbarë shqiptarët me rastin e festës së Kurban Bajramit.

Kështu, përmes një mesazhi drejtuar mbarë shqiptarëve, nënkryetari Spahiu, bëri thirrje për forcimin e lidhjeve mes njëri-tjetrit, për një shoqëri më të mirë dhe më të lumtur shpirtërisht.

“Nesër është Kurban Bajrami, festa që simbolizon,  sakrificën sublime të njeriut të përsosur, dhe shënjon kulmin e bindjes, besnikërisë dhe dashurisë ndaj Allahut të plotfuqishëm.

Në këtë festë afrohen zemrat, harrohen urrejtjet, njerëzit shtrijnë dorën e pajtimit, ripërtërihen lidhjet shoqërore e njerëzore, me dashuri e sinqeritet, derisa çdo shtëpi dhe familje të mbushet me gëzim e hare.

Ky është edhe qëllimi i lartë shoqëror që mbart në vetvete feja Islame, një shoqëri e lumtur, ku çdo zemër të mbushet me dashuri, mirësi e kënaqësi.

Sa njerëz ka sot, që janë të zhytur në varfëri të thellë, e për shkak të mbrojtjes së nderit dhe dinjitetit nuk kërkojnë lëmoshë! Ne ndoshta i harrojmë, mirëpo të tillë kemi plot afër nesh. Kjo harresë nuk na bën ne të lumtur, nuk e bën shoqërinë më të mirë.

Prandaj, le ta tregojmë veten të vetëdijshëm gjatë festave tona dhe të ndiejmë atë që ndiejnë nevojtarët!

Le të pakësojmë dëfrimin dhe teprimin, e t’ua ofrojmë atyre që kanë nevojë.

Le t’i forcojmë dhe mbajmë lidhjet vëllazërore fuqimisht, jo vetëm gjatë ditëve të festave, por në çdo kohë.

Sot kur në qendrën e gjithësisë, në Mekë, po luten miliona njerëz për paqen dhe lumturinë e njerëzve, unë dëshiroj dhe i lutem Zotit te Madhëruar që kjo festë të sjellë në shtëpitë e shqiptarëve, më shumë mirësi, afrimitet dhe dashuri mes njëri-tjetrit, në të mirë të shoqërisë, kombit dhe gjithë njerëzimit”, ka pohuar ai.

SHKARKO APP