Nesër Kuvendi, Berisha: Ftoj demokratët dhe kryetarin në letër. Dikur përmbysnim komunizmin, sot narkoshtetin

Lideri historik i PD-së, Sali Berisha në një deklaratë për mediat ka folur për Kuvendin Kombëtar që do të zhvillohet ditën e nesërme në stadiumin ”Air Albania”, të thirrur nga ai me votat e delegatëve. Një ftesë Berisha e dërgoi edhe tek Lulzim Basha, duke e quajtur kryetar në letër, që të bëhen bashkë për rithemelimin e PD-së.

”Me këtë mesazh dua t’u përshëndet shumë përzemërsisht. Ftoj të gjithë delegatët dhe delegatet të Kuvendit të rithemelim të PD, që keni firmosur ose nuk keni firmosur formularin të jeni nesër të pranishëm. Të vendosni me votën tuaj të lirë rithemelimin e PD.

Rithemelimin e forcës tonë politike, rikthimin e saj në shtëpinë e lirisë së demokratëve shqiptarë. Në një forcë politike të vlerave tradicionale të shoqërisë sonë. Në një forcë të vërtetë opozitare, të sigurt, që do të udhëheqë revolucionin paqësore të shqiptarëve. Si dikur përmbysëse e sistemit komunist, sot në përmbysje të narko-shtetit. Rikthimin e votës së lirë për anëtarët, simpatizantët e PD-së brenda kësaj partie.

Rikthimin e votës së lirë për shoqërinë shqiptare në tërësi. Të dashur delegatë dhe delegate, moti është një faktor që nuk varet nga ne, me gjithë zjarrin dhe entuziazmin që keni nga brenda. Sugjerimi miqësor është që të vinim të përgatitur me veshje të trasha të mundur për mos të ndjerë të ftohtin”.

Në një mesazh video për delegatët, Berisha e quajti mbledhjen e Kuvendit Kombëtar një revolucion paqësor. “Dikur përmbysnim komunizmin, sot përmbysim narkoshtetin. E ftoj kryetarin në letër Lulzim Basha, në kuvend. Të rivendosim pluralizmin politik dhe rithemelojmë PD”.

SHKARKO APP