Nesër Novruzi/ Baba Mondi: Festo në shtëpi dhe dëgjo qeverinë
Sulltan Novruzi është një ditë e rëndësishme për besimtarët bektashinj. Këtë vit besimtarët do të duhet ta festojnë të izoluar në banesat e tyre për shkak të masave të marra në kuadër të përhapjes së koronavirus. Kryegjyshi Botëror i Bektashinjve Baba Mondi, në një intervistë për Report tv, u bëri thirrje besimtarëve bektashinj të qëndrojnë në banesat e tyre dhe të festojnë pranë familjes duke respektuar higjienën.
“Besimtarëve u jam drejtuar me mesazhe që festën e Sulltan Novruzit ta kalojnë në shtëpitë e tyre duke respektuar të gjitha ligjet, sepse qeveria është vullneti i zotit në tokë. Të zbatohen të gjitha rregullat e higjienës dhe të jemi të kujdesshëm në veprimet që bëjmë. Nesër në 11 do të jap një lutje të përgjithshme si zakonisht, por pa njerëz, duke dëgjuar në media në shtëpitë e tyre”.
Nga ana tjetër, Baba Mondi bën thirrje për mirëkuptim nga ana e njerëzve referuar masave të marra për izolim dhe u drejton një thirrje politikanëve të qëndrojnë të bashkuar për hir të mirëqenies së popullit shqiptar.
“Masat janë shumë të rrepta dhe shumë të vështira për t’u zbatuar se njerëzit janë mësuar me rutinën e përditshme, por duhet të kuptojnë që masat janë marrë për ata, për të mbrojtur shëndetin e njeriut. U bëj thirrje jo vetëm popullit por edhe politikanëve që siç e kemi parë janë bashkuar këto ditë bashkërisht për të përballuar këtë situatë të emergjencës së lartë dhe të paparashikuar”.