Nesër priten reshje të dendura shiu, ja rrugët që do të bllokohen

 

Reshje të dendura shiu priten gjatë ditës së nesërme, ndërkohë që Bashkia e Tiranës ka publikuar masat e marra në terren për të shmangur problematikat. Bashkia e Tiranës njofton të gjithë qytetarët e saj se gjatë gjithë ditës dhe mbrëmjes së nesërme, priten sasi të mëdha dhe reshje të dendura shiu, deri në nivele të atilla saqë mund të shkaktojnë vështirësi në qarkullim dhe bllokimin e disa prej rrugëve problematike të kryeqytetit. Për këtë arsye, Bashkia ka marrë të gjitha masat për të ulur numrin e problematikave që mund të shfaqen gjatë ditës së nesërme. Ndërmarrjet e rrugëve, pastrimit, kanalizimeve, ndriçimit, Policia Bashkiake, Inspektorati i Mbrojtjes së Territorit dhe Zjarrfikëset, kanë ngritur grupe të posaçme pune dhe do të jenë në terren, në shërbim të qytetarëve gjatë gjithë ditës, së bashku me administratorët e 24 njësive administrative. Bashkia e Tiranës këshillon qytetarët e saj që të minimizojnë lëvizjet tyre ditën e nesërme, për të shmangur trafikun e rënduar që mund të krijohet për shkak të reshjeve, si dhe bllokimin e rrugëve. Për të lehtësuar transportin e qytetarëve, Bashkia e Tiranës u ka kërkuar linjave të transportit publik që të shtojnë numrin e autobusëve në qarkullim.
Rrugët më problematike dhe me mundësi më të lartë për t’u bllokuar janë:
Rr. Siri Kodra (segmenti te Frigoriferi)
Rr. Don Bosko
Rr. e Kavajës
Rr. Imer Ndregjoni
Rr. Bardhyl (segmenti ku kryqëzohet me rr. ‘Qemal Stafa’)
Unaza (segmenti ‘Vasil Shanto’ – ‘21 Dhjetori’)
Rr. Myslym Shyri
Rr. e Dibrës

 

SHKARKO APP