Nesër protesta nga PD, Policia tregon masat: Kufizim i qarkullimit në këto akse rrugore
Nesër në orën 17:00, Partia Demokratike dhe opozita do të rikthehen në një tjetër protestë kombëtare. Në funksion të garantimit të rendit dhe sigurisë publike, si edhe për mbarëvajtjen e tubimit, Policia e Tiranës ka marrë të gjitha masat e nevojshme në zbatim të ligjit “Për tubimet”.
Si pasojë e këtyre masave, do të ketë kufizime të qarkullimit dhe parkimit të automjeteve në disa akse kryesore rrugore të kryeqytetit. Konkretisht, nga ora 23:45 e ditës së sotme do të bllokohet lëvizja dhe nuk do të lejohet parkimi i automjeteve në bulevardin “Dëshmorët e Kombit”, nga zona e njohur si “Ura e Dajtit” deri në rrugën “Ismail Qemali”, deri në përfundim të tubimit.
Ndërkohë, ditën e nesërme, nga ora 15:00 dhe deri në përfundim të protestës, do të ndalohet qarkullimi i automjeteve në bulevardin “Dëshmorët e Kombit”, nga kryqëzimi pranë Ministrisë së Brendshme deri te sheshi “Nënë Tereza”. Po ashtu, do të ketë bllokime edhe në rrugët “Ukraina e Lirë”, “Papa Gjon Pali II” dhe “Ismail Qemali”.
Policia bën me dije se në varësi të zhvillimit të tubimit, mund të ketë kufizime të mëtejshme edhe në akse të tjera rrugore. Në rast bllokimesh, qarkullimi do të devijohet në rrugë alternative, për të lehtësuar lëvizjen e qytetarëve. Policia e Tiranës u bën thirrje qytetarëve që të shmangin lëvizjen me automjete në akset që do të bllokohen dhe të përdorin rrugë alternative. Gjithashtu, ajo apelon që qytetarët të distancohen nga çdo veprim i kundërligjshëm që mund të cenojë rendin dhe sigurinë publike.
KOHA JONË SONDAZH

