Nesër Rama ndryshon Kushtetutën e 140 votave, miraton nenet e reja që ndalojnë koalicionet

Këshilli i Legjislacionit dhe Komisioni i Ligjeve do të miratojnë të hënën ndryshimet kushtetuese për të vënë në jetë vendimin e Ramës për të hapur listat e kandidatëve dhe për të ndaluar koalicionet parazgjedhore.

Kushtetuta do të ndryshojë në 3 nene: duke bërë hequr pengesat që i konsiderojnë listat zgjedhore të mbyllura, pra me renditje të paracaktuar të kandidatëve nga kryetari i partisë, si dhe do të hiqet nga Kushtetuta termi koalicion parazgjedhor.

Në Kushtetutë nuk do të saktësohen detaje se si do të hapen listat, apo si do të garantohet barazia gjinore në këtë format të ri.

Këto elementë specifikë do t’i lihen Kodit Zgjedhor, i cili duhet të ndryshojë sërish që të pasurohet me këto nevoja të reja.

Nëse këto ndryshime kushtetuese miratohen në 30 korrik siç është parashikuar, shqiptarët për herë të parë do të kenë ndikim në përzgjedhjen e emrave konkretë për deputetë, por gjithsesi do të duhet sërish të votojnë mes emrave që kryetari i partisë ka përfshirë në listë, dhe nuk mund të shtojnë kandidatë që ai mund të ketë lënë jashtë.

Siç raporton ABC News, propozuesit, që zyrtarisht janë opozitarët në Kuvend, do të tërhiqen nga kërkesa për një prag elektoral 5 %, dhe do të kërkojnë që ai të jetë 3 %.

Kjo zbutje do të mirëpritet dhe nga Partia Socialiste që kontrollon votat në parlament.

Gjithsesi, as hapja e listave as pragu nuk janë problemi kryesor i këtyre ndryshimeve. Bashkë me to, do të ndalohen dhe koalicionet parazgjedhore. Në këtë mënyrë favorizohet Partia Socialiste, duke i vështirësuar opozitës së bashkuar rrugën drejt pushtetit.

PD dhe LSI kanë kundërshtuar fort ndryshimin e njëanshëm të Kushtetutës, dhe e kanë konsideruar minim të marrëveshjes se 5 qershorit.

SHKARKO APP