Nesër seanca për masën, Berisha: Pa imunitet do iki në Gjykatë, në të kundërtën jo
Sali Berisha thotë se nuk do të shkojë në asnjë seancë në Gjykatë, për sa kohë ai thotë se është shkelur Kushtetuta. Berisha tha se nuk e njeh vendimin e gjykatës që i ka caktuar masën e sigurisë “detyrim paraqitje”. Në një intervistë për ”Euronews Albania”, ish-kryeministri deklaroi se nuk mund të bëjë asnjë veprim që bie ndesh me Kushtetutën.
”Unë kam deklaruar se mbështes çdo akt të zbatimit të ligjit nga kushdo, por kur them këtë, unë nuk mund të pranoj kurrë shkelmim të Kushtetutës. Sali Berisha në vitin 2012 ka dërguar në Parlament amandamentet kushtetuese për heqjen e çdo lloj kufizimi të veprimit të organeve të drejtësisë përballë deputetit, çdo lloj kufizimi, pra me një fjalë tjetër pse e kam bërë këtë? Sepse kam dashur që në Kushtetutë të jenë të gjithë të barabartë para saj”,-tha Berisha.
Sipas Berishës, SPAK-u, ose siç e quan ai SKAP, ka zbatuar urdhrat e Ramës sepse e njeh atë mbi Kushtetutën, sidoqoftë nëse procesi kalon në parlament, Berisha thotë se nuk do të refuzojë të bëjë gjithçka kërkon ligji dhe Kushtetuta.
“Unë do shkoj në seancë gjyqësore dhe kudo, por jo në shkelje të Kushtetutës. Po u ndoq procedura çfarë mendon ti se do i kërkoj unë mëshirë mazhorancës së partisë së krimit? Kurrë! Po ata kanë frikë ta mbledhin parlamentin. Ata kanë frikë sepse e dinë që kanë zero fakte, zero argumente dhe nuk duan që unë t’ju bëj gjyqin publikisht. Nëse parlamenti voton për heqjen e imunitetit do ta pranoj pa diskutim. Njeriu që ka dërguar në vitin 2012 ligjin për këtë çështje as nuk më shkon kurrë në mendje ta refuzoj”,-tha Berisha.