Nesër studentët para Kuvendit, protestë kundër miratimit të projektligjit të arsimit të lartë

Edhe pse shumica janë me pushime, studentët pritet të mblidhen nesër pasdite në një protestë përpara Kuvendit, ku pritet të miratohet projektligji për Arsimin e Lartë. Tubimi është njoftuar nga Lëvizja për Universitetin, një grupim i cili e ka kundërshtuar që prej fillimit draftin e qeverisë dhe ka organizuar shpesh protesta.

“Kundër kalimit të reformës që – siç e kemi theksuar për muaj me radhë në asamble, zaptime dhe protesta – tregtarizon universitetin, rrjep studentët dhe abuzon me paratë publike përmes financimit të privatëve. Kundër arrogancës qeveritare që përmes heshtjes dhe gënjeshtrës, zvarritjes dhe nënshtrimit, panikut dhe pushimeve verore, arriti të kalonte një ndër reformat më klienteliste dhe të kundërshtuara publikisht”, thuhet në një njoftim të kësaj lëvizje.

Të rinjtë do të mblidhen para Kuvendit në orën 17:00 për të lëshuar thirrjet e fundit ndaj deputetëve të mazhorancës, të cilët me shumicë votash pritet të kalojnë këtë projektligj. Ndërkohë që sot opozita ka deklaruar votën kundër, pasi sipas saj kjo është një reformë klienteliste. 

SHKARKO APP