Nesër vjen Vuçiç, bllokohet trafiku në Tiranë

 

Ashtu siç pritej, vizita e kryeministrit serb në Tiranë, Aleksandër Vuçiç, do shkaktojë shumë probleme në trafik.

Më konkretisht nga ora 10:00 do të ketë kufizim deri në bllokim të hyrjes për në autostradën Tiranë-Durrës.

Do të ketë bllokim të aksit Rinas- Qafë Kashari. Mbikalimi i Kamzës -Rruga e Durrësit -Sheshi Skënderbej- Bulevardi Dëshmorët e Kombit- Sheshi Nënë Tereza.

Kryeministri serb mbërrin në Rinas në orën 11:00.

Çdo mjet që do të gjendet në rrugë kalimin e delegacionit do të konsiderohet i rrezikshëm dhe do bëhet bllokimi i tij me karrotrec.

Këshillohen qytetarët të evitojnë lëvizjen me mjete, të përdorin shërbimin publik dhe motiçikleta.

Plan masash konkret do të ketë specifikisht për ambasadën serbe, e cila do të blindohet nga shërbime policore të rendit.

Nuk do të lejohet asnjë mjet i parkuar pranë ambasadës serbe që nga mbrëmja e sotme dhe rrugët lidhëse me ambasadën.

Duke filluar nga sot në orën 23:59 nuk do të lejohet asnjë parkim në aksin rrugor: Rinas-Qafë Kashar- Sheshi Shqiponja-Rruga Dritan Hoxha (në të dyja senset), Rruga e Durrësit- Sheshi Skënderbej-Bulevardi Dëshmorët e Kombit -Rruga Ismail Qemali (nga TVSH në drejtim të Liceut),  Rruga e Elbasanit deri tek Pallati i Brigadave.

Të angazhuar do të jenë në terren dhe shërbimet inteligjente si dhe drejtoria e antiterrorit në Policinë e Shtetit.

SHKARKO APP