Nexhmije Pagarusha merr status të veçantë dhe 500 euro në muaj nga qeveria e Kosovës
Nexhmije Pagarusha mori statusin e qytetares me merit të veçanta për kontributin e saj në promovimin e muzikës së mirëfilltë shqiptare. Vendimi u mor dje nga Qeveria e Kosovës, pas propozimit të Ministrit të Kulturës, Rinisë dhe Sportit, Kujtim Gashi.
Statusi i qytetares me merita të veçanta do të shoqërohet me mbështetje financiare, siç u përcaktua në propozim, me vlerë 500 euro në muaj.
“Nexhmije Pagarusha, siç njihet në popull, bilbili i muzikës shqipe, me paraqitjet e saj në shumë vende të botës bëri që karriera e saj të jetë e bujshme, duke përfaqësuar kësisoj Kosovën dhe përçuar vlerat dhe traditat e vendit tonë,” tha Ministri i Kulturës, Gashi.
“Veprat e mira nuk kanë çmim, por kultivuesit meritojnë mbështetje,” përfundoi ministri.