Nga 1 janari me patenta të reja. Ja si ndryshojnë kategoritë

 

Pas ndryshimeve në Kodin Rrugor për patentat e reja, Ministria e Transporteve është duke përgatitur udhëzimin për zbatimin e ndryshimeve. Nikolin Bërxhiku, specialist në drejtorinë e Qarkullimit dhe Sigurisë Rrugore në këtë ministri, flet për dokumentacionin që nevojitet, kategoritë e reja që janë shtuar në lejet e drejtimit dhe mosha e shoferëve të rinj. Bërxhiku shpjegon se nuk ka zhvlerësim të patentave aktuale, ato do të rinovohen pas përfundimit të afatit të përdorimit.

Si do të veprohet për pajisjen me patentë të re dhe çfarë dokumentesh duhet të plotësojnë këta kandidatë?

Ne kemi marrë disa nisma ligjore që përshtaten me ndryshimet që u bënë vitin e kaluar në Kodin Rrugor, të cilat synojnë përshtatjen me normat europiane. Me patentën e re, që përmban elementë të rinj, do të pajisen të gjithë ata persona, që aplikojnë për herë të parë për lejen e drejtimit dhe ata drejtues, që duhet të rinovojnë patentën pas përfundimit të afatit të përdorimit. Plotësimi i dokumentacionit mbetet i njëjtë për ata persona që do të pajisen për herë të parë me patentë.

Kandidati duhet të paraqesë dokumentin e identifikimit dhe dokumentin që vërteton kryerjen e kursit të njohurive teorike nga autoshkollat. Nga Drejtoria e Përgjithshme e Shërbimit të Transportit rrugor, kandidatët testohen për njohuritë teorike. Nëse fitohet testi për kontrollin e njohurive teorike, ai pajiset me autorizimin e ushtrimit të drejtimit të mjetit për kategorinë që ka kërkuar. Për rastet kur nuk fitohet testi i njohurive teorike, kandidati vazhdon përgatitjen teorike dhe futet në testim jo më parë se 5 ditë nga dita e provës së pafituar. Pas kësaj, sektori përkatës në Drejtorinë e Përgjithshme të Shërbimit të Transportit Rrugor merr në provë kandidatin për verifikimin e aftë¬ sive të tij drejtuese. Nëse kandidati fiton provën dhe dokumentacioni i tij është i plotë, atëherë ai pajiset me leje drejtimi. Tarifat nuk do të ndryshojnë, si për testin e teorisë, atë të praktikës në autoshkolla dhe për marrjen e lejes të drejtimit.

Po për kërkesat mjekësore, cilat janë vizitat që duhet të kryejë një kandidat dhe për çfarë sëmundjesh përjashtohet marrja e patentës apo rinovimi i saj?

Plotësimi i kërkesave mjekësore është kryer në përputhje me direktivat e Bashkimit Europian. Përveç kryerjes së vizitës te mjeku okulist për sytë dhe veshët, për sëmundjet e tjera mbetet në gjykimin e autoriteteve mjekësore për ta klasifikuar një kandidat apo jo. Organizimi fillon nga mjeku i familjes, i cili ka kartelën me të dhënat shëndetësore, më pas është detyra e tij për ta drejtuar te mjekët specialistë përkatës për kryerjen e vizitave. Leja e drejtimit nuk i lëshohet apo rinovohet një kandidati të prekur nga çrregullime të rënda të ritmit të zemrës, ai që vuan nga krizat e epilepsisë, shqetësimet psikike, apo ai drejtuese që nuk mund të ndajë drejtimin e mjetit nga konsumi i alkoolit, apo ata persona që janë të varur nga droga apo nga substancat psikotrope.

Si do të veprohet me patentat aktuale, të cilat kanë një afat përdorimi, do të zhvlerësohen apo do të vijojnë të njihen?

Patentat aktuale quhen të drejta të fituara dhe nuk anulohen as në formë dhe as në përmbajtje. Pajisja me lejen e re të drejtimit do të bëhet pas përfundimit të këtij afati. Pra, leja do të rinovohet kur të përfundojë afati i përdorimit të patentës që një drejtues ka në përdorim. Më pas, drejtuesit e automjeteve do t’u nënshtrohen kërkesave të reja që parashikojnë aktet në fuqi. Edhe kryerja e vizitave mjekësore është pjesë e kërkesave për drejtuesit e automjeteve që do të rinovojnë patentën. Tarifat do të jenë të njëjta, nuk do të ketë ndryshim.

Si ndryshojnë kategoritë e lejeve të drejtimit?

Kategoritë bazë mbetën të njëjta, në kategorinë A dhe B mbeten autoveturat, në kategorinë C janë kamionët dhe kategorinë D, autobusët. Por ka disa variacione të tyre, të cilat nuk kanë qenë më përpara duke u krijuar lehtësi qytetarëve që me një vlefshmëri t’u njihen edhe këto nënkategoritë e reja. Ndarja e re e kategorive krijon një fleksibilitet më të lartë me ekzistuesin. Ka disa nënkategori që mund të nënvlerësohen, mund të njihen automatikisht apo nuk është e nevojshme të jepet i njëjti test dy herë për disa elementë apo vetëm dhënia e disa njohurive shtesë për transportin profesional. Lehtësi ka edhe për drejtuesit e veturës, në kategorinë B kanë të drejtë të drejtojnë automjete deri në 125 kubikë, e cila nuk ka qenë më përpara.

A ka ndryshime në përcaktimin e vlerave të normave të shkarkimit të gazrave nga automjetet?

Prej 6 muajsh, duke nisur nga 1 korriku, është në zbatim udhëzimi që përcakton se pjesë e kontrollit teknik për të gjitha automjetet është edhe kontrolli i normave të ndotjes për plotësimin e lejuar të normave të shkarkimit të gazrave. Normat do të synojnë të shkojnë drejt uljes, pra, drejt niveleve europiane, pasi nivelet aktuale janë të larta./Panorama/

SHKARKO APP