Nga bora nëna lindi në shtëpi, burri: Kërkojmë ndihmë financiare
Luljeta Cora nga fshati Labinot-Katund e bllokuar nga bora, lindi ditën e djeshme foshnjën e saj në kushte shtëpie në sajë të ndihmës së stafit mjekësor të qendrës shëndetësore të zonës.
Nëna së bashku me foshnjen e porsalindur, të pagëzuar me emrin Manuel, fatmirësisht gjenden në gjendje të mirë shëndetësore. Kjo nuk është hera e parë për Luljetën që lind në kushte të tilla. Disa vite më parë, 25-vjeçarja solli në jetë dy binjakë, nga të cilët mbijetoi vetëm një.
Sot, Luljeta Cora rrëfeu se është marrë nga shtëpia e saj nga ambulanca e qendrës shëndetësore “Labinot Katund” në kushte mjaft të vështira atmosferike. “Në mëngjes më filluan dhimbjet, makina nuk erdhi se kishte rënë shumë dëborë, por erdhi ambulanca. Ishin dy infermiere që më ndihmuan fillimisht, Ismete Allushi dhe Nazmie Demiri”, u shpreh ajo.
Ajo falenderoi më tej për të gjithë ndihmën e dhënë stafin mjekësor, si edhe kreun e grupit parlamentar të PS Taulant Balla, i cili ka reaguar menjëherë ndaj këtij rasti. Babai i fëmijës i kërkoi publikisht Ballës që ndonëse një fëmijë u ka vdekur, qeveria t’u japë çekun për lindjen e fëmijës së tretë. /Report Tv/

KOHA JONË SONDAZH

