Nga Britania e Madhe për aventurë dhe adrenalinë në Grykën e Këlcyrës

Kryeministri Edi Rama ka ndarë në rrjetet sociale ofertën e re turistike “Në Grykën e Këlcyrës – Peshtan, një ofertë e re turistike e aventurës për amatorët e Packrafting, sjell enkas çdo javë grupe nga Britania e Madhe, po mikpret edhe të tjerë të bashkohen për një eksperiencë të paharrueshme”.

Moria e turistëve të huaj këtë vit është e madhe, duke e kthyer Shqipërinë në atraksion të shumë kërkuar.

Packrafting në Grykën e Këlcyrës është një aventurë emocionuese dhe unike për adhuruesit e natyrës dhe sporteve ujore, por edhe për ata që e duan aventurën dhe adrenalinën, ata që duan të jetojnë kaq shumë brenda pak çasteve në kolovitjet mbi valët e vërshimit të tërbuar të lumit dhe lajkatimin në paqëtinë e kristaltë, që rrugëton mes maleve të thepisura dhe luginave mahnitëse.

Zërat e atyre që bëhen pjesë e kësaj përvoje janë vetë melodia e harmonisë së këtij peizazhi të ashpër dhe dehës.

Gryka e Këlcyrës është jo vetëm një nga mundësitë më të veçanta për të shijuar dhe për t’u përfshirë në sportin e jashtëzakonshëm të Packrafting, por edhe një nga kanionet më të bukura të vendit, duke ofruar peizazhe mahnitëse me shkëmbinj të thepisur, ujëra të kristalta dhe vegjetacion të pasur.

Packrafting ofron mundësinë për të eksploruar lumin Vjosë dhe kanionet që e rrethojnë në një mënyrë unike dhe të paqtë, larg turizmit masiv.

Në këtë aventurë, mund të përballeni me sfida si rrjedha të shpejta, ujëra të qetë, dhe ngushtica dramatike të kanionit, duke ju ofruar një përvojë të plotë të natyrës dhe adrenalinës. Gryka e Këlcyrës është gjithashtu një zonë me rëndësi kulturore dhe historike, duke e bërë udhëtimin e turistëve edhe më të pasur.

Albert Vataj / Koha Jonë

 

SHKARKO APP