Nga Egjipti në Sarandë për të vjedhur një velierë

Pesë persona ranë në prangat e policisë në Sarandë, pasi tërhoqën pa leje nga porti i Limionit një velierë. Bëhej fjalë për një mjet lundrues të sekuestruar nga autoritetet në qershor të këtij viti. Personat në fjalë e ndërmorën ‘aventurën’ për të marrë velierën, që pretendonin se ishte e tyre, duke përdorur një anije peshkimi.

Megjithatë tentativa e tyre dështoi pasi nga pas iu vu Policia kufitare e Vlorës, Delta Force dhe Guardia di Finanza. Të arrestuarit janë drejtuesi i anijes së peshkimit dhe katër punonjës me kombësi egjiptiane.

“Në vijim të veprimeve hetimore dhe procedurale të kryera për këtë rast u arrestuan në flagrancë shtetasit: A. N., 53 vjeç, drejtuesi i anijes së peshkimit; A. E., 55 vjeç, S. G., 40 vjeç, M. E., 43 vjeç dhe I. A., 34 vjeç, të katërt shtetas egjiptianë, punëtorë peshkimi. Këta shtetas dyshohen se në bashkëpunim me njëri-tjetrin kanë vjedhur mjetin lundrues tip velierë të sekuestruar nga Policia, që ndodhej i bllokuar në portin e Limionit, me pretendimin se kjo veliere ishte pronë e tyre”, tha policia në njoftimin e saj për mediat.

Për rastin nën hetim është vënë edhe një punonjës policie, “inspektor A. M., me detyrë trup shërbimi në Komisariatin e Policisë Kufitare Sarandë, pasi nuk ka marrë masa për ruajtjen velierës të sekuestruar dhe nuk ka konstatuar mungesën e mjetit lundrues, pas lënies së shërbimit”.

SHKARKO APP