Nga gratë në komisariate nga projekti Smart City, ministri Hoxha tregon 3 objektivat për Policinë
Ministri i Brendshëm, Ervin Hoxha i cili po sjell një Rilindje në Policinë e Shtetit, në një takim informal me gazetarët e terrenit përmendi tre objektivat e tij si drejtues, por edhe një ndër risitë ku për herë të parë në Shqipëri do të kemi dhe drejtuese femra edhe në komisariatet e vendit.
Hoxha tha se për herë të parë ka vendosur në objektivat e tij edhe dhënien e mundësisë për efektivet vajza që të garojnë dhe të marrin poste drejtuese. Për ministrin, mbyllja e procesit të gradave për më shumë se një dekade ishte diçka e padrejtë dhe që dëmtoi një brez të tërë në polici. Për herë të parë në ligjin për Policinë e Shtetit mund të ketë dhe një shtesë siç është komunikimi me publikun e cila do të jetë një nga pikat ku do të testohen aftësitë e oficerëve.
Projekti Smart City është një tjetër pikë e nisur fillimisht nga ish-ministri i Brendshëm Taulant Balla por që pritet të përfundojë. Sipas Hoxhës diçka e tillë do të bëjë që Shqipëria të jetë nën vëzhgim digjital jo vetëm për kamerat e sigurisë identifikimit të targave por edhe shumë elementë të tjerë që lidhen me teknologjinë. Një ndër komisariatet e cila ka implementuar këtë Project është komisariati nr.6 i Kamzës.
Kompania Identitek që prodhon kartat e identitetit pritet nga ana tjetër t’u mundësojë qytetarëve që të aksesojnë letërnjoftimin e tyre por edhe pasaportën digjitale. Sa i përket konkursit për drejtorin e përgjithshëm të policisë përfliten disa emra por për ministrin asnjë prej tyre nuk është i preferuar dhe cilido prej tyre që plotëson kushtet do të jetë drejtori i ardhshëm i policisë së shtetit pa ndikimin e ministrit të brendshëm.