Nga Gurakuqi që ishte 100 vjet para kohës së tij tek Beqja/ Gazetari Tomorri zbulon ndryshimin mes koncesioneve të para dhe parimet që sot nuk i përfill askush
Nga Klodian Tomorri
Është magjepsëse, por historia e përsërit vetveten thuajse në gjithçka. Fatkeqësisht ndonjëherë në mënyrë të mbrapsht.
Në vitet 20 të shekullit të kaluar, shteti i sapoformuar shqiptar kishte nevojë për investime publike që të nxirrte vendin nga varfëria dhe të shtynte ekonominë në rrugën e zhvillimit.
Por në pamundësi për të siguruar hua në tregjet financiare, qeveria e atëhershme ju drejtua mekanizmit të Partneritetit Publik Privat.
Në shtator të vitit 1923, në Parlamentin e Shqipërisë mbërritën kontratat e para të koncesioneve. Fillimisht ishte koncesioni i vajgurit me kompaninë angleze Anglo-Persian, më pas ai i kripës, lëkurëve të bagëtive e kështu me radhë, pyjeve, duhanit, thuajse në të gjithë sektorët dominantë të ekonomisë së atëhershme shqiptare.
Një shtet i sapoformuar nuk kishte ekspertizën për të negociuar marrëveshje komplekse, të cilat kishin pasoja shumëvjeçare për ekonominë. Ndaj shumica e koncesioneve praktikisht ishin lëshime për kompanitë e huaja dhe me përfitime të cunguara për shtetin shqiptar.
Por në Parlamentin e atëhershëm të Shqipërisë ndodhej një burrë, i cili për nga njohuritë dhe vizioni në këtë fushë ishte të paktën 100 vjet përpara kohës së tij.
Ky ishte Luigj Gurakuqi, njeriu i cili shtjelloi i pari publikisht në Shqipëri të ashtuquajturën doktrinën e dyerve te hapura, pra tregut të lirë dhe konkurrencës së barabartë për të gjithë.
Përmes disa fjalimeve të fuqishme, Gurakuqi do të shtronte para Parlamentit, ato që duhet të ishin parimet e kontratave koncesionare.
Së pari, koncesionet nuk duhet të ishin ekskluzive dhe nuk duhet të ishin në asnjë mënyrë monopol për të mos penguar futjen e kompanive të tjera.
Së dyti, afati i tyre duhet të ishte sa më i shkurtër për të mos e lënë vendin peng në afatgjatë.
Së treti, shteti shqiptar duhet të ruante maxhorancën, me të paktën 51 për qind të aksioneve, në çdo shoqëri koncesionare të pasurive publike.
Së katërti, shoqëritë që fitonin kontrata koncesionare nuk duheshin lejuar që të transferonin koncesionin.
Së pesti, kontratat koncesionare, veç kriterit ekonomik duhet të mbanin parasysh edhe atë gjeopolitik duke preferuar kompanitë që vinin nga vendet aleate.
Shume nga koncesionet e viteve 20 dështuan për shkak të destabilitetit politik të vendit. Por ndërsa një shekull më parë, Shqipërinë e shpëtoi rastësia – siç thoshte Konica – 100 vjet më vonë e groposi grykësia.
Sot pasuritë kombëtare të vendit janë shndërruar gati në mallkim. Në naftë, një sërë ngjarjesh të ndodhura javët e fundit, kanë nxjerrë në pah fakte ulëritëse se si koncesionet janë përdorur për të zhvatur qytetarët dhe skllavëruar punonjësit.
Në shëndetësi, PPP-të kanë çmontuar totalisht sistemin, duke devijuar në llogari private qindra milionë euro përmes abuzimeve flagrante.
Në fushën e fiskut, vetëm për të kontrolluar karburantet, shqiptarët paguajnë aktualisht 3 koncesione, ndërkohë që qeveria po bën gati të katërtin.
Në sektorin e mbetjeve, Shqipëria paguan mafien e plehrave për investime të pakryera, një skemë të cilën e refuzuan edhe republikat më të korruptuara të planetit, si vendet afrikane.
Fatkeqësisht, të gjitha këto kontrata janë monopole të blinduara me ligj. Shumica e koncesioneve zotërohen nga kompani të fshehta. Pjesa dërrmuese e tyre kanë ndërruar disa herë duar. Dhe të gjitha kanë afate mbi 10 vjeçare duke i vënë buxhetit dhe ekonomisë një gur të rëndë në qafë, që do të rrijë aty për shume vjet.
Parimet që Gurakuqi shtroi 100 vjet më parë janë përmbysur me kokë poshtë. Historia e përsëriti veten padrejtësisht me Shqipërinë. Nga Rilindja e Gurakuqit e degdisi tek Rilindja e Beqjas dhe shefit të tij me poture.