Nga hetimet ekonomiko-financiare tek pastrimi i parave, dy gjeneralë të Guardia Di Finanza në Shqipëri, zbardhen diskutimet
Dy gjeneralë të Guardia Di Finanza kanë vizituar Shqipërinë, në kuadër të një misioni dy ditor në Shqipëri të delegacionit të Komandës së Përgjithshme të Guardia di Finanza të Romë
Nisma të reja të mundshme të ndihmës, formimit dhe bashkëpunimit në hetimet ekonomiko-financiare dhe tatimore, ndër të cilat lufta ndaj pastrimit të parave dhe kapitaleve të paligjshme, hetimet financiare dhe pasurore, mbrojtja e shpenzimeve publike dhe antikorrupsionit kanë qenë temë e diskutimit me zyrtarë të lartë Policisë Shqiptare. .
Ata zhvilluan takim edhe me drejtorin e Policisë së Shtetit Ardi Veliu, si dhe kanë parë nga afër të gjithë punën që bëjnë njësitë italiane policore të stacionuara në pjesë të ndryshme të vendit tonë.
Gjeneral Brigade Cosimo Di Gesù, Kreu i Repartit II për Bashkërendimin Informativ dhe Marrëdhëniet Ndërkombëtare, dhe Gjeneral Brigade Giuseppe Arbore, Kreu i Repartit III të Operacioneve, janë pritur në Shqipëri nga Ambasadori i Italisë Fabrizio Bucci për një mision në vijim të vizitës në Romë të Kryeministrit shqiptar Edi Rama më 23 Janar të këtij viti.
Delegacioni zhvilloi takime të koordinuara nga Ambasada e Italisë në Tiranë, pranë Kryeministrisë si dhe pranë Drejtorisë së Përgjithshme të Policisë së Shtetit, për të vijuar më pas me vizitën pranë ushtarakëve të Guardia di Finanza të pranishëm në Shqipëri (24 njësi në Durrës e Vlorë) me praninë e funksionarit Ekspert të Guardia di Finanza pranë Ambasadës së Italisë në Tiranë, Kolonel Luca De Paolis.
Në takimet pranë Këshillit të Ministrave të Shqipërisë dhe Ministrisë së Financave dhe Ekonomisë – krahas vënies në pah të një bashkëpunimi të konsoliduar tashmë të pranisë së Guardia di Finanza prej vitit 1997 u diskutuan nisma të reja të mundshme të ndihmës, formimit dhe bashkëpunimit në hetimet ekonomiko-financiare dhe tatimore, ndër të cilat lufta ndaj pastrimit të parave dhe kapitaleve të paligjshme, hetimet financiare dhe pasurore, mbrojtja e shpenzimeve publike dhe antikorrupsionit.
Po kështu, sipas njoftimit të Policisë së Shtetit u theksua edhe një herë gatishmëria dhe vullneti i Italisë për të mirëpritur kërkesat e parashtruara nga qeveria shqiptare, edhe përmes organizimit të kurseve të posaçme të formimit të cilat mund të zhvillohen në të ardhmen në Shqipëri ose në Itali, pranë Shkollës së Policisë Ekonomiko-Financiare në Lido di Ostia (Romë), një qendër e shkëlqyer formimi i Guardia di Finanza e njohur International Tax Academy nga Organizata për Bashkëpunim dhe Zhvillim Ekonomik (OCSE).
“Gjatë takimit me karakter tekniko-operativ të zhvilluar pranë Drejtorisë së Përgjithshme të Policisë së Shtetit, Gjeneralët Di Gesù dhe Arbore u takuan me Kreun e Policisë Ardi Veliu me të cilin u përvijua situata e deritanishme e veprimtarisë së Guardia di Finanza në Shqipëri si përsa i përket patrullimit detar të përbashkët ashtu dhe fushatës së mbikqyrjes nga ajri, e cila ka nisur tashmë prej një muaji nën patronazhin e Departamentit të Sigurisë Publike të Ministrisë së Brendshme dhe ka për qëllim identifikimin e plantacioneve të kanabisit përmes avionit të posaçëm të Guardia di Finanza.
Guardia di Finanzia italiane kryen fushata të mbikëqyrjes nga ajri që prej vitit 2012, duke sjellë risi vit pas viti në mënyrat e kryerjes me qëllim komunikimin e të dhënave gjithnjë e më të sakta autoriteteve shqiptare të policisë përgjegjëse për sekuestrimin në terren të plantacioneve. Takimi, në të cilin mori pjesë edhe Kreu i Zyrës së Ndërlidhjes së Interforcës së Shërbimit për Bashkëpunim Ndërkombëtar të Policisë (SCIP) në Shqipëri, Zëvendës Kuestor i Policisë së Shtetit Salvatore Gava, mundësoi njohjen më të thelluar të përparimeve të arritura falë skuadrave hetimore të përbashkëta në arrestimin e pjesëtarëve të bandave kriminale italo-shqiptare (gjatë operacionit më të fundit të përbashkët të kryer muajin e kaluar u lëshuan urdhër arreste në ngarkim të 37 shtetasve si dhe u konfiskua një sasi e konsiderueshme lënde narkotike që kap vlerën e 4 milionë eurove)”, njofton Policia e Shtetit.
Ambasadori i Italisë në Tiranë Fabrizio Bucci, me rastin e vizitës, përgëzoi të gjithë Trupën e Guardia di Finanza në Shqipëri “që – nën drejtimin e Komandantit të Kufirit Detar Nënkolonel Stefano Leccia – kryen një punë të jashtëzakonshme në mbështetje të autoriteteve shqiptare e që dëshmon për afërsinë e vazhdueshme në 360 gradë të Institucioneve tona ndaj atyre shqiptare”.
“I referohem këtu jo vetëm patrullimit të përditshëm të brigjeve dhe administrimit teknik të fushatës së mbikqyrjes nga ajri por edhe afërsisë njerëzore të dëshmuar pas tërmetit, ku që në orët e para të natës ushtarakët tanë që ndodhen në Durrës kryen gërmime mes rrënojave përkrah autoriteteve kompetente shqiptare dhe familjeve të goditura nga tërmeti”, tha ambasadori italian.
Ambasadori Bucci falenderoi në fund Gjeneralët Di Gesù e Arbore “që me këtë mision dëshmuan për vëmendjen që Qeveria italiane i kushton luftës ndaj trafikut të lëndëve narkotike, që mbetet një përparësi absolute dhe një nga kushtet e vendosura nga Këshilli i Evropës për hapjen e negociatave për t’u bërë pjesë e Bashkimit Evropian”.
Ai tha se njëkohësisht vizita konfirmon vullnetin për të forcuar më tej bashkëpunimin mes dy vendeve, duke e shtrirë punën në hetimet ekonomiko-financiare e tatimore si dhe formimin, si një mjet thelbësor për fuqizimin e institucioneve shqiptare me qëllim konsolidimin e besimit të qytetarëve shqiptarë në rrugëtimin e integrimit të Vendit në Bashkimin Evropian”.