Nga lulet deri tek udhëtimet, cilat janë dhuratat e prindërve shqiptarë për mësuesit e fëmijëve?

7 Marsi prej vitesh është shndërruar në një ditë stresuese për prindërit, duke menduar se çfarë dhuratash t’u bëjnë mësuesve për t’u siguruar që fëmijët e tyre të mos ndihen jashtë ekosistemit. Ndonjëherë edhe si garë dhuratash.

Mësuesit bëjnë një punë të mrekullueshme, kështu që është e natyrshme që prindërit duan të shpërblejnë punën e tyre të palodhur me një dhuratë, por kufiri mes modestes dhe garës mes fëmijëve për dhuratën më me vlerë, nuk gjendet.

Të japësh ose të mos japësh dhurata është një vendim që ushtron presion të madh mbi prindërit, fëmijët e të cilëve janë në shkollë. Madje nis që në sistemin parashkollor, me çerdhe e kopshte.

Në një vëzhgim në treg, përveç dhuratave tradicionale si lule, bizhuteri e aksesorë, kanë nisur dhe forma të tjera të dhuratave. Zhvillimi i teknologjisë ka sjellë një sërë mjetesh për dhënien dhe marrjen e dhuratave, si kuponat elektronikë, karta për blerje etj.

Në biseda të ndryshme me prindër në disa shkolla në kryeqytet, raportohet se disa prindër kanë dhuruar edhe para për mësuesit. Të tjera organizime përfshijnë edhe udhëtime jashtë shtetit për mësuesit.

Gama e dhuratave të tjera të konsideruara janë: libra apo kuponë për blerje librash në vlerë 2000-3000 lekë; bizhuteri që nisin nga 2500 deri në aksesorë prej ari që arrijnë 20 mijë lekë; tufa lulesh prej 1500-2000 lekë, shpesh të shoqëruara e me një zarf me vlera monetare; forma grumbullimi parash që dhurata të blihet e përbashkët ose dhurimi i vlerës finale të parave, ku shuma që kontribuonte secili nxënës ishte 1000-1500; kuponë në dyqane të caktuar qoftë aksesorësh por edhe të orendive shtëpiake; udhëtime, kryesisht brenda vendit, në destinacione të afërta me pagesë hoteli etj.

Komercializimi i “dhënies së dhuratave” është bërë një problem kaq i madh social, saqë disa prindër ‘ankohen’ që humbi vlera e vërtetë e ditës, që një dhuratë modeste për vlerësimin e përkushtimit të mësimdhënies nuk ekziston më.

Sipas tyre, ka figura mësuesish modestë dhe të pacenuar nga ky fenomen, por janë presionet sociale që të mos mbetet fëmija jashtë rryme që i nxit të jenë pjesë e këtij komercializimit.

Në fund të ditës, ata që “përfitojnë” janë bizneset.

Në rrjete sociale ka fushata marketingu të sponsorizuar disa javë para 7 Marsit, si përkujtim për prindërit që të mos harrojnë këtë ditë. Këta biznese online nisin nga aksesorët, veshje, libra apo e dhurata të personalizuara ose handmade.

Këta të fundit kanë vlera më të larta për shkak të autenticitetit që i karakterizon, nisin nga qirinj të personalizuar 1500 lekë deri të gdhendje në dru 6000 lekë.

Ekspertë të fushës së sjelljes sociale ngrenë pyetjen: Nëse edhe mësuesit po humbasin kufirin midis vlerësimit të sinqertë dhe ryshfetit, kush do të jetë në gjendje t’ua mësojë atë fëmijëve?/ Monitor

SHKARKO APP