Nga një Kuvend i tillë, Berisha duket shpëtimtar

Nga Enton Alibekaj

Sali Berisha, që është Lideri, aq historik sa nuk mund të jetë e ardhmja, as e tashmja. Me Kuvende si ky, me shfaqje si organizatë pionierësh që, në vend të Enverit dhe Saliut kanë vënë një një fuqi të huaj të padukshme, që e quajnë Perëndim, kanë përvetësuar një imazh të gënjeshtër SHBA-së që i bekon dhe i vëzhgon në çdo hap si “Vëllai i Madh” i Orwellit, kthimi tek e shkuara duket si i vetmi shpëtim.

Ky është Kuvendi i denoncimit të masakrës elektorale që PD e Berishës u paska bërë atyre të Bashës? Flutura Açka sapo denoncoi Luciano Boçin, më të votuarin e Elbasanit, se i ka vjedhur votat. Pastaj gjyq, për të gjithë ata që nuk janë. Figura të reja, të katapultuara pa votë, që shajnë të votuarit nga baza si masovikë, komunistë, të korruptuar. Figura që duhet të ishin përmirësim i imazhit të PD-së, po kërkojnë ndarje nga njerëzit jo distancim nga veprat, akuzojnë njerëz nuk reflektojnë për vepra, kërkojnë fajin te Lideri për të fshehur gabimin tek Kryetari.

Ky është Kuvendi i justifikimit të humbësve jo i projektimit të fitores, ky është Kuvendi i rrëmbimit të PD-së nga një trupë e emëruar rishtaz nga Lulzim Basha, pa vota dhe pa kontribute, që duan të zëvendësojnë votën me bekimin e një fuqie të madhe, të përfaqësojnë me servilizëm interesat e të fortëve që emërojnë qeveri dhe deputetë në vend të njerëzve që duan prova për të dhënë besimin.

Ky është Kuvendi që e paraqet PD-në jo një ndër dy forcat më popullore, por si një minoritet social të margjinalizuar që kërkon strehim politik te ambasada amerikane. Janë në të drejtën e tyre të jenë minoritet social, por nuk kanë nevojë të kërkojnë strehim politik te ambasadat, mjafton të pranojnë veten dhe askush nuk i kërcënon.

Është anti-Kuvend, se i vetmi qëllim ishte denoncimi i 11 dhjetorit, dëshira për ndarje me Berishën dhe mbështetësit e tij, dëshpërimi për të larguar pjesën që nuk mendon si ata, në kundërshtim me ftesën për bashkim dhe dhe bashkëpunim që bëri Kuvendi i 11 dhjetorit. Vetëm Lulzim Basha pati në fjalën e tij diçka më shumë se urrejtja për Berishën. Ai foli edhe për qeverisjen e ardhshme të PD-së, për politikën e jashtme kryesisht.

Në fillim të fjalës së tij, dukej sikur ishte Kuvend parazgjedhor, dukej sikur PD nuk është mbledhur 8 muaj pasi humbi zgjedhjet për herë të tretë dhe 1 javë pasi humbi anëtarësinë e saj për ta zëvendësuar me ndihma nga brenda dhe nga jashtë. Ishte një tjetër rrëzim i qeverisë së Ramës nga Lulzim Basha, pas rrëzimeve që bëri nga 16 shkurti i 2019 deri kur bojkotoi zgjedhjet lokale. Janë rrëzime që përfundojnë në tryezën me Damianin dhe pastaj në fasadë për zgjedhjet pluraliste.

Ishte një Kuvend ku i vetmi argument bindës për shumicën ishte Jemin Gjanaj, që vuri si garanci reputacionin e tij për ta bërë të besueshme shifrën e 5004 delegatëve, në një sallë që jashtë e brenda nuk dihet a i mbajti 3 mijë vetë. Duke injoruar shifrat, ishte një Kuvend për themelimin e një force të re, pa vota, pa përfaqësim, pro me vulë të vjetër, emër të vjetër dhe seli të bollshme.

Sali Berisha, që është Lideri, aq historik sa nuk mund të jetë e ardhmja, as e tashmja. Me Kuvende si ky, me shfaqje si organizatë pionierësh që, në vend të Enverit dhe Saliut kanë vënë një një fuqi të huaj të padukshme, që e quajnë Perëndim, kanë përvetësuar një imazh të gënjeshtër SHBA-së që i bekon dhe i vëzhgon në çdo hap si “Vëllai i Madh” i Orwellit, kthimi tek e shkuara duket si i vetmi shpëtim. Me një opozitë pa peshë, pa vota që mendon se do të emërohet në pushtet po u soll si minoritet i margjinalizuar, me një parti që shpreson se sistemi gjyqësor i Edi Ramës do i sigurojë vulën, selinë, kolltuqet dhe makinat, Sali Berisha duket si revolucionari antisistem që u jep shpresë viktimave të keq-qeverisjes dhe keq-opozicionit.

Me një Kuvend si ky, Berishës nuk i duhej as Kuvendi i datës 11 as Referendumi, mjafton të bëjë një xhiro në Bulevard. /Dosja.al/

SHKARKO APP