”Nga qyteti i luleve, Elbasani në qytetin e bandave”, Hajdari flet për takimin me Yuri Kim

Para 4 vitesh ajo u fut në parlament si deputete e PD-së, por tashmë Rudina Hajdari është kandidate në Elbasan në listën e Nismës Thurje. Ajo theksoi se takimi me ambasadoren e SHBA-së në Tiranë, Yuri Kim ka qenë në zyrat e partisë ku ajo bën pjesë. Për këtë, Hajdari shprehet se tregon mbështetjen që ambasadorja ka për ndryshimin.

”Takimi ishte ndryshe nga të tjerët. Ajo erdhi pranë zyrave të nismës Thurje dhe ne patëm një bashkëbisedim me të, ishte shumë e inkurajuar dhe u shpreh shumë optimiste për organizimin që ne kishim bërë. U takua me të tjerët në takime të shkurtra, për një kafe, me zonjën Kryemadhi, zotin Bardhi dhe Taulant Ballën, ndërsa më pas na erdhi në “shtëpi”, në zyrat e Nismës Thurje. Kjo tregon që ishte në mbështetje të një modeli të pastër të kandidatëve që po përpiqen të bëjnë ndryshimin e duhur. Pas vizitës, ne drekuam bashkë. Kjo, jo vetëm tregon qartë mbështetjen e ambasadës, por edhe një udhëzim të qartë nga Uashingtoni për nevojën e një ndryshimi rrënjësor në politik. Partitë e vjetra u shqetësuan shumë nga ky takim”, tha Hajdari për ”A2cnn”.

Nga ana tjetër, Hajdari foli edhe për situatën në qytetin e Elbasanit si dhe ditët e saj të para që prej momentin që u vendos në listat e këtij qarku. ”Në këtë qytet zhgënjimi është shumë i madh, por edhe në të gjithë qarkun. Të gjithë janë shumë të zhgënjyer nga mënyra e qeverisjes në 8 vitet e fundit, por jo vetëm. Elbasani është kthyer nga qyteti i luleve në qytetin e bandave”, u shpreh Hajdari.

SHKARKO APP