Nga resorti ”Golden” te blindi i Berishës, SPAK: 11 pasuritë që i kalojnë shtetit
SPAK ka depozituar 11 kërkesat e para për konfiskim të pasurive të botës së krimit. Mes pasurive është BMW-ja e blinduar e Lulzim Berishës dhe resorti ”Golden” i Hajrave. Po ashtu edhe pasuri të bashkëpunëtorëve të Hajrave në Shkoder. Hajrat akuzohen si të përfshirë në rrëmbimin dhe ekzekutimin e Jan Prengës. Këto janë konfiskimet e para pas nisjes së OFL-së në fillim të këtij viti.
Subjektet kanë minimalisht 6 muaj afat që gjatë gjykimit në GJKKO të sjellin prova, fatura, fakte ekspertiza ekonomike për të verifikuar pasurinë. Deri tani asnjë nga këto pasuri që kërkohet sekuestro nuk është justifikuar dot. Këto pasuri janë të sekuestruara. Konfiskim do të thotë kalim në pronësi të shtetit.
Operacioni Forca e Ligjit u ka dërguar sot formularët për deklarimin e pasurisë 5 personave, 4 prej tyre në Shkodër. OFL i ka nisur kërkesat me shkrim për vetëdeklarimin e burimeve të pasurisë shtetasve:
-Sokol Tavasja, banues në Shkodër, i dënuar nga Gjykata e Shkallës së Parë Shkodër, për veprën penale “Prodhimi dhe shitja e narkotikëve dhe nga Gjykata e Shkallës së Parë për Krimet e Rënda, për veprat penale “Vrasja me paramendim” dhe “Armëmbajtja pa leje”;
-Ismet Idrizi, banues në Shkodër, nën hetim nga Prokuroria pranë Gjykatës së Rrethit Gjyqësor Shkodër, për veprën penale “Shtrëngimi me anë të kanosjes ose dhunës për dhënien e pasurisë”;
-Sokol Xhani, banues në Shkodër, i dënuar nga Gjykata e Shkallës së Parë Shkodër, për veprat penale “Prodhimi dhe shitja e narkotikëve”, “Armëmbajtja pa leje” dhe “Prodhimi, mbajtja, blerja apo shitja pa leje e armëve të ftohta”;
-Gjeto Pepaj, banues në Shkodër, i dënuar nga Gjykata e Shkallës së Parë Shkodër, për veprën penale “Prodhimi dhe shitja e narkotikëve, e kryer në bashkëpunim”;
-Astrit Pata, banues në Tepelenë, i dënuar nga Gjykata e Shkallës së Parë për Krimet e Rënda, për veprën penale “Trafikimi i femrave”.