Nga rritja e pagave për stafin mjekësor tek rimbursimi i ilaçeve dhe naftëtarët, Gjylameti: Ja prioritetet e Buxhetit 2021

Pas vendimit të Komisionit të Ekonomisë për sigurimin e fondeve prej 1.2 miliardë lekësh për rimbursimin e ilaçeve për të sëmurët me COVID-19 në Republikën e Shqipërisë, vjen një reagim nga deputetja e Partisë Socialiste, Blerina Gjylameti. Përmes një postimi në ‘Facebook’, Gjylameti theksoi sot se “lajmi më i mirë i buxhetit si prioriteti i prioriteteve mbetet jeta e qytetarëve, lidhur me çështjen e pandemisë, ku vendosëm rritjen e pagës së mjekëve me 40 % dhe rritje për personelin shëndetësor. Bashkërelatore me kolegun Anastas Angjeli prezantuam sot çështjet prioritare për projekt-buxhetin e 2021 të cilat kaluan në Komisionin e Financave dhe Ekonomisë. Miratimi i paketës së ilaçeve për kurimin nga COVID-19 me rimbursim me një fondi prej 1.2 mld lekë që do t’i shtohet buxhetit të shtetit për të rimbursuar çdo qytetar të Republikës së Shqipërisë. 1 mld për rritjen e pagesës së papunësisë, si përballim për shtresën në nevojë”.

Sipas saj, prioritet është vendosur rritja e buxhetit për bujqësinë, 950 mln lekë për skemën e rimbursimit të naftës, ku përfshihet dhe çështja në investimin e digave për përballimin e përmbytjeve me një buxhet prej 200 mln lekë. “Buxheti i jep prioritet mbështetjes sociale në disa sektorë, ku përfshihet me prioritet shpërblimi i naftëtarëve pas negocimit dhe marrëveshjes, që arriti Kryeministri Edi Rama, edhe mbështetja për dy ndërrmarjet të tjera që paraprin problematikën për mospagimin në një kohët të gjatë”, – nënvizoi Gjylameti.
Sipas saj, buxheti mbështet vazhdimin e reformave institucionale, institucioneve në varësi, veçanërisht institucioneve të pavarura që lidhen me reformën historike në drejtësi.

“Prioritet tjetër me një rëndësi jetike është çështja e turizmit, ku do të rritet buxheti i shtetit me prioritet ndihmën e sektorit nga goditja e pandemisë. Buxheti përcakton mbështetjen e fillimit të ndërtimit të Teatrit Kombëtar. Rritje e mbështetjes së buxhetit të shtetit për pushtetin lokal nëpërmjet rritjes së trasfertës së pakushtëzuar”, – tha Gjylameti.

Mes të tjerash Gjylameti u shpreh se ka rritje 15 % e pagave për mësuesit. “Qëndrueshmëria, stabiliteti makroekonomik dhe rritja e ndërveprimit të sektorëve është synimi i buxhetit, duke iu dalë ballë me rimëkëmbjen e ekonomisë, sfidave dhe vështirësive nga normaliteti i ri. Buxheti 2021 gjithashtu mbështet zhvillimin e gjelbër, zhvillimin dixhital dhe objektivat e zhvillimit të OKB të mijëvjeçarit”, tha ajo.

SHKARKO APP