Nga Shkodra në Durrës, stalla bagëtish dhe banesa të përmbytura
Ende vendi po vuan pasojat e rreshjeve të denduara që kanë shkaktuar përmbytje në disa zona. Muriqani është një tjetër zonë që prej ditësh, ndodhet nën pushtetin e ujit. Sipërfaqe të tëra me tokë bujqësore janë nën ujë, ndërsa po rrezikohet seriozisht edhe bagëtia nga mungesa e ushqimit, por dhe nga rreziku i përmbytjes së stallave.
Një zonjë e moshuar, 72-vjeçare, është marrë gjithë jetën me bagëti dhe tanimë ndjehet e frikësuar për fatin e lopëve të saj. Kjo sa për shkak të përmbytjeve, aq edhe për mungesën e interesimit dhe ndihmës nga shteti.
Në Katund të Ri në Durrës, përveç tokave, uji ka rrethuar edhe banesat. Oborret e të gjitha banesave në këtë zonë ishin nën pushtetin e ujit, këtë të martë. Banorët e zonës shprehen se kjo përmbytje vjen vetëm për shkak të mosmirëmbajtjes së kanaleve kulluese.
Me gjithë denoncimet dhe ankesat, përmbytjet sa vijnë e bëhen më të shpeshta, ndërsa institucionet vazhdojnë të llogarisin sasitë e reshjeve për të bërë krahasimet me vitet e mëparshme.