Nga sot nis indeksimi i pensioneve në masën 4.1 %

Duke nisur nga dita e sotme 1 Tetor 2024, nis indeksimi i pensioneve në masën 4.1 % për 791 257 pensionistë. Indeksimi bëhet duke u bazuar në llogaritjen e Institutit të Statistikave të indeksit mesatar vjetor të muajit gusht 2024, për mallrat e shportës për pensionistët.

Indeksimi është detyrim ligjor i skemës së sigurimeve shoqërore. Efektet financiare për zbatimin e këtij vendimi, përllogariten në afro 1.7 miliardë lekë vetëm për tre muajt e vitit 2024.

Synim kryesor i indeksimit është ruajtja e fuqisë blerëse të pensioneve, kundrejt rritjes së çmimeve dhe efekteve të inflacionit.

Qeveria ka paralajmëruar se nga mesi i këtij muaji, do të nisë edhe konsultimet për rishikimin e skemës së pensioneve.

Sipas ministrit të Ekonomisë, Kulturës dhe Inovacionit, Blendi Gonxhja, për skemën e re në fokus do të jetë vendosja e barazisë mes profesioneve me të ardhura të njëjta.

Nga ana tjetër, ai ka deklaruar edhe se bonusi i fundvitit, këtë dhjetor do të jetë më i lartë sesa në vitet e shkuara.

SHKARKO APP