Nga sot rritet çmimi i energjisë për furrat e bukës

Rritja e çmimit të energjisë elektrike për furrat e bukës ka hyrë në fuqi ditën e sotme. Edhe pse do të kenë fasha dhe çmime të ndryshme, pritet që të ndryshojnë edhe çmimet e produkteve të brumit dhe të pastiçerisë. Për këtë arsye, Autoriteti i Konkurrencës, ka paralajmëruar se do të nisë monitorimin e menjëhershëm të bizneseve me qëllim që të mos abuzohet me çmimet.

Njoftim i Autoritetit të Konkurrencës:

Autoritetit i Konkurrencës vendos menjëherë nën monitorim çmimin e prodhimit dhe tregtimit të bukës pas hyrjes në fuqi të vendimit nr. 72 datë 15.04.2024 të Entit Rregullator të Energjisë (ERE) Sot në datë 01.11.2024 Autoriteti i Konkurrencës, nisur nga informacione mediatike në lidhje me njoftimin e furrave të bukës për rritjen e çmimit të bukës, filloi monitorimin e menjëhershëm në terren për evidentimin e çdo sjelljeje abuzuese në shkelje të ligjit nr. 9121/2003 ‘Për mbrojtjen e Konkurrencës’.

Ligji nr. 9121/2003 ‘Për mbrojtjen e konkurrencës’ ndalon të gjitha marrëveshjet të cilat kanë si objekt ose si pasojë pengimin, kufizimin ose shtrembërimin e konkurrencës në treg, veçanërisht marrëveshjet që caktojnë në mënyrë të drejtpërdrejtë ose të tërthortë, çmimet e blerjes ose të shitjes, apo çdo kusht tjetër tregtimi. Sjellim në vëmendje të ndërmarrjeve të prodhimit dhe tregtimit të bukës se, shkelja e ligjit 9121/2003 ‘Për mbrojtjen e konkurrencës’ përbën kundërvajtje administrative dhe sanksionohet me gjobë, në masën deri në 10 për qind të xhiros së vitit financiar paraardhës të ndërmarrjeve të përfshira në marrëveshje të paligjshme.

SHKARKO APP