Nga Tirana, BE bën thirrje për dialog Kosovë-Serbi. Daçiç bojkoton foton familjare
Kosova ishte kryefjala e takimit të ministrave të Jashtëm të rajonit dhe Bashkimit Europian, të cilët u mblodhën në Tiranë një javë para samitit të liderëve në kuadër të Procesit të Berlinit që do të mbahet në kryeqytetin shqiptar, më 16 tetor. Këtë e konfirmoi edhe ministrja e Jashtme gjermane Analenna Baerbock, e cila u duk se prioritet mbi prioritetet kishte takimet tet a tet me homologët e Prishtinës dhe Beogradit. Biseda paraprake me Ivica Daçiç nuk ishte e lehtë për ministrin serb. Pas këtij takimi, kryediplomati serb vendosi të bojkotonte foton familjare të ministerialit. Homolugun serb nuk e bindi dot as ministri i Shqipërisë, Igli Hasani.
Që tonet kanë qenë të ashpra përtej dyerve të mbyllura u kuptua edhe nga mesazhi i qartë publik që Gjermania dha për Beogradin për sqarimin e sulmit në veri të Kosovës. Mesazhi përmbante dhe një parlajmërim.Është koha që BE duhet të vijë në Ballkanin Perëndimor, por deri në atë moment rajoni duhet të gjejë paqen ndërmjet fqinjëve. Edhe eurokomisioneri Oliver Varhely kërkoi nga Serbia që të hetojë sulmin e 24 shtatorit në veri të Kosovës, duke bashkëpunuar me Brukselin.
Shqipëria ka linjëzim me BE-në në këtë kërkesë, me Igli Hasanin që bën thirrje për hetime dhe dialog. Por, ministrja e Jashtme e Kosovës, Donika Gërvalla, pas takimit me homologen gjermane e bëri të qartë se kur Prishtina do mund të rikthehej në tryezën e dialogut me Beogradin: “Ne do të shohim nëse Serbia do ta marrë apo jo përgjigjen e merituar për agresionin, pastaj mund të ulemi për të diskutuar temat me qetësi”.
Ivica Daçiç tregoi parehatinë e tij gjatë punimeve të samitit jo vetëm me prishjen e traditës së fotove familjare. Orët e vështira e detyruan që të braktiste për disa minuta tryezën e ministrave për të marrë ajrin e pastër në ambientet e jashtme të Pallatit të Brigadave. Ministri i Jashtëm serb nuk iu gëzua as mikpritjes së Tiranës zyrtare, duke u larguar pa ngrënë drekë. /A2cnn/