Nga turpi, gratë shqiptare “i nënshtrohen” dhunës
Gratë shqiptare nuk e denoncojnë dhunën e ushtruar ndaj tyre. Turpi, frika nga dhunuesi, mungesa e besimit tek institucionet dhe mungesa e mbështetjes financiare, vazhdojnë t’i pengojnë gratë. Ky është rezultati i anketës ”Mirëqenia dhe siguria e grave” e zhvilluar nga prezenca e OSBE-së në Shqipëri dhe Sektori Gjinor i OSBE-së në Vjenë dhe që u prezantua sot për publikun shqiptar.
Në Shqipëri, kërkimi përfshiu një anketë përfaqësuese të 1858 grave të moshës 18-74 vjeç, 14 intervista me ekspertë, 7 diskutime të grupit të fokusit dhe 4 intervista të thelluara me gra që kishin përjetuar dhunë. Sipas anketës, megjithëse dhuna ndaj grave quhet e zakonshme nga një numër i madh grash të intervistuara, vetëm shumë pak prej tyre i denoncojnë përvojat e tyre apo kërkojnë mbështetje.
Kryetari i Prezencës së OSBE-së në Shqipëri, ambasadori Bernd Borchardt, tha se të dhënat e anketës tregojnë qartë se normat kulturore dhe sjelljet që kanë të bëjnë me dhunën ndaj grave duhet të ndryshojnë dhe se duhet vepruar. Ministrja e Drejtësisë, Etilda Gjonaj, theksoi nevojën për bashkërendim më të mirë mes institucioneve shtetërore. Koordinatori Rezident i Kombeve të Bashkuara, Brian Williams, tha se lufta ndaj shkaqeve rrënjësore të dhunës ndaj grave është përgjegjësi e shoqërisë mbarë. Drejtuesi i Sektorit Ekonomik dhe Zhvillimit Social në Delegacionin e Bashkimit Evropian në Shqipëri, Andrea Vera, theksoi se dhuna ndaj grave, në të gjitha format e saj, është shkelje e të drejtave të njeriut.