Nga vrasja te shfrytëzimi i prostitucionit dhe droga, OFL shënjestron 3 “të fortë” të tjerë
Operacioni Forca e Ligjit ka vënë sot në shenjestër tre të fortë të tjerë, dy prej tyre në Fier dhe një në Vlorë.
Sipas OFL, shtetasit Aleksander Llanaj, Vladimir Çilotaj dhe Shpëtim Çilotaj duhet të deklarojnë pasurinë brenda 48 orësh.
“Këta individë, si subjekt i Ligjit Special, duhet t’u përgjigjen me shkrim, brenda 48 orësh, të gjitha pyetjeve të OFL-së dhe më pas, përgjigjet e marra do t’i dërgohen SPAK-ut, për veprime të mëtejshme”- njofton OFL.
NJOFTIMI
Në kuadër të zbatimit të Ligjit Special për masat pasurore ndaj individëve të dënuar apo akuzuar për krim të organizuar apo krime të rënda, OFL i ka nisur kërkesat me shkrim për vetëdeklarimin e burimeve të pasurisë, shtetasve:
-A. Ll., banues në Vlorë, i dënuar për veprën penale “Vrasje kundër dy ose më shumë personave”;
-V. Ç., banues në Fier, për të cilin Gjykata e Shkallës së Parë Fier ka caktuar masën e sigurisë “Arrest në burg”, për veprat penale “Prodhim dhe shitje narkotikësh” e kryer në bashkëpunim dhe “Prodhim dhe fabrikim i lëndëve narkotike dhe psikotrope”;
-Sh. Ç., banues në Fier, për të cilin Gjykata ka caktuar masën e sigurisë “Arrest në burg”, për veprat penale “Vrasje me paramendim” dhe “Shfrytëzim prostitucioni”;
Këta individë, si subjekt i Ligjit Special, duhet t’u përgjigjen me shkrim, brenda 48 orësh, të gjitha pyetjeve të OFL-së dhe më pas, përgjigjet e marra do t’i dërgohen SPAK-ut, për veprime të mëtejshme.
OFL është në veprim të pandërprerë dhe në kryerje të veprimeve komplekse për vendosjen e sekuestrove emergjente mbi pasuritë e dyshuara të përfituara nga krimi, si dhe për dërgimin e formularëve të vetëdeklarimit të gjithë personave që janë subjekt i Ligjit Special.
OFL do të informojë publikun në vijimësi për të gjitha nismat procedurale dhe operacionet ekzekutive që do të kryejë.