Nga Wuhani në Golem. Josilda Ndreaj, rrëfim për “kryeqytetin” e koronavorusit
Josilda Ndreaj studentja shqiptare që deri para disa ditësh jetonte në Wuhan epiqendrën e koronavorusit. Pas një udhëtimi të gjatë dhe strapacues, ajo u kthye pranë familjes në Golem dhe po tenton ta harrojë atë çfarë përjetoi në Kinë. Josilda e cila apeloi përmes Top Channel të ndihmohej për ty kthyer në Shqipëri tregon në një intervistë se çfarë do të thotë të jetosh në Wuhan epiqendrën e koronavirusit.
Cila ishte gjëja e parë që çove në mëndje kur more vesh se në Wuhan ku ndodhet edhe universiteti juaj ishte epiqendra e koronavirusit?
Si fillim mendova të informohem sa më shumë për koronavirusin sepse për të gjithë ne ishte një situatë e re pasi informacioni nuk është ende në masën e duhur për ta kuptuar se çfarë virusi është. U informova në mënyra të ndryshme duke lexuar artikuj nga mediat kineze. Kjo ishte faza e parë e të kuptuarit çfarë po ndodhte.
Pasi u informove për situatën a krijoi kjo ndjesinë e panikut tek ju?
Panik jo nuk mund të them panik por u përpoqa ta analizoj situatën pasi po të panikosesh kjo nuk është zgjidhje. Ruajta qetësinë.
Në universitetin ku ju studionit a kishte student të prekur?
Jo. Në universitetin tonë s’ka asnjë student të prekur madje vijojnë të merren masa për parandalimin e përhapjes së virusit në zonën e kampusit universitar.
Kur ishit në momentet e para të mbledhjes së informacionit, a kërkuat ndihmë në ambasadën shqiptare në Pekin?
U përpoqa të komunikoj me konsullin e ambasadës tonë atje duke kërkuar ndihmë por dua ta them se kërkesa ime ato momente nuk ishte fort konkrete pasi nuk arrija të kuptoja se ç’po ndodhte dhe prandaj nuk pata ndonjë ndihmë konkrete pasi mu tha që kërkesën time konkrete ta dërgoja përmes një emaili në adresën e ambasadës. Në atë fazë e kisha të pamundur të saktësoja çfarë ndihme më duhej se prioritare ishte marrja e informacionit çfarë po ndodhte pasi isha vetëm. Nuk vijova të kërkoj më tej ndihmë përmes emailave pasi mu desh të menaxhoja kohën e të realizoja zgjidhjen. Menaxhova situatën të kthehem sa më shpejt në Shqipëri ky ishte vendimi që unë mora nuk mund të vijoja të jetoja atje në gjendjen që isha. Isha e pasigurtë për situatën sepse ato momente nuk arrin të kuptosh pasi gjërat ndodhin shumë shpejt pasi çdo ditë merr informacion se ka ngjarje nga ky virus dhe unë ndodhesha vetëm. Në qoftë se do të infektohesha apo diçka e tillë nuk kisha as mbështetjen e familjarëve dhe të ndonjë autoriteti tjetër. Për këtë arsye mendova se ishte më e mirë të distancohesha deri një moment tjetër.
Përse vendosët të ktheheshit në Shqipëri?
Në momentin kur virusi nisi të përhapej unë ndodhesha jashtë zonës së kampusit. Ato momente nuk e kuptoja realisht situatën pasi isha vetëm në një shtet të huaj pa mbështetjen e fakultetit dhe universitetit apo të ndonjë forme tjetër. Mendova të kthehem tek familja ime deri në një moment tjetër sa të ndryshojë situate.
Po studentët e tjerë shqiptarë atje me të cilët ju jeni në komunikim. Çfarë thonë do të vijojnë të rrinë apo duan edhe ata të kthehen?
Mendoj se kjo nuk mbetet në vullnetin e studentëve shqiptarë pasi kufijtë atje janë të mbyllur e si pasojë nuk ka shumë mënyra transporti. Me sa jam e informuar ata janë në pritje të një udhëzimi të ri se si do të vijojë situate nëse do të jetë e mundur rrugëkalimi në territore të tjera apo do të hapet aksesi për të udhëtuar jashtë Wuhanit.
Më treguar se keni udhëtuar nga Shiani për në Pekin, në Milao për të mbërritur në Shqipëri. Çfarë ndodhi gjatë këtyre udhëtimeve përsa i përket kontrolleve?
Në çdo zonë që kam kaluar jam kontrolluar duke nisur nga Shiani mund t’ju them se në sistemin e metrove kishte kontrolle të temperaturës. Më pas kur ti kalon në aeroport kontrollohesh se nga ti vjen. Ke dy ose më shumë kontrolle temperature në të gjitha pikat ku kalon. Edhe në Milano stacioni fundor për Air China u kontrolluam 3 apo 4 herë nga mjekët italian. Nuk na lanë, të dalim nga avioni pa u kontrolluar . Të gjithë pasagjerët u kontrolluan disa herë për siguri maksimale mendoj.
Po në Shqipëri kur mbërritët në aeroport çfarë ndodhi?
Në Shqipëri gjithashtu me kontrolluan pasi vija nga Kina dhe kalova me sukses pa asnjë problem. Ishte e njëjta situatë pasi kisha kaluar kontrolle të mëparshme mbi tre filtra minimum. Në momentin që jam kthyer në Shqipëri dhe shikoj portalet e këtushme vërtet habitem pasi nuk e imagjinoj dot që të ketë kaq shumë informacion të montuar, i pavërtetë dhe pas asnjë lloj fakti e prove e burim informacioni. Më duhet të sqaroj se përdorimi i fjalëve kyçe apo termave për të fituar shikueshmëri cenon njerëz. Jo vetëm mua por edhe familjet e studentëve të tjerë që ndodhen në Kinë. Me aq sa jam e informuar nga miqtë e mi familjet e tyre janë të frikësuara dhe në panik për fëmijët e tyre që ndodhen edhe në qytete të tjera të Kinës pasi informacionet që jepen janë jo reale e të pa bazuara në fakte.
Meqë sapo jeni kthyer nga Kina, çfarë do ti thonit familjeve të studentëve shqiptarë që janë ende atje?
Ata nuk duhet të përfshihen në panik. Unë s’jam kopetente për të thënë më tepër në lidhje me situatën por shumë studentë shqiptarë ndodhen në zona të tjera që nuk janë prekur në të njëjtën mënyrë si Wuhan, por mbetet në vullnetin e tyre për kujdes e masa parandaluese dhe situate do të jetë më e lehtë për ata student.
A do të riktheni përsëri në Kinë për të vijuar studimet?
Unë jam duke e vëzhguar situatën dhe mund të rikthehem në Kinë sepse do të më duhet të vijoj universitetin. Është diçka që vjen duke vëzhguar e më pas vepruar.
Për situatën në të cilën ishit kërkuar ndihmë përmes Top Channel të ktheheshit në Shqipëri. Si ishte reagimi pasi ne transmetuam atë kronikë?
Menjëherë pas kronikës në Top Channel shumë njerëz u solidarizuan për të më ndihmuar dhe kjo ishte diçka që më habiti e bëri të kuptoj se ka shumë njerëz pozitiv. Më mbetet që ti falenderoj e t’ju jem shumë mirënjohëse të gjithë atyre që më ofruan ndihmë në një moment të tillë. Shumë faleminderit.