Ngacmimet seksuale në shkolla, Boçi: Riformatim i sistemit pa patronazhistë

Deputeti i Partisë Demokratike, Luçiano Boçi ka reaguar për ngjarjen e rëndë në një shkollë të Pogradecit, ku drejtori i shkollës dyshohet se ka ngacmuar seksualisht dy nxënëse të mitura.

Sipas deputetit demokrat duhet një reagim i shpejtë për të luftuar këtë fenomen të papranueshëm, duke shtuar se kjo gjë nis nga riformatimi i sistemit pa emërime politike.

“Rastet e dhunës e ngacmimeve seksuale, ku përfshihen drejtues institucionesh arsimore e punonjës, nuk janë rastësi. Ato janë dëshmi e devijimit dhe rrënimit të një sistemi të tërë tashmë të kalbur. Ky sistem duhet riformatuar.

Duhet një ripozicionim i ri i figurës së mësuesit, detyrës e vlerësimit të tij si mësimdhënës dhe edukator. Duhet një sistem i ri karriere e vlerësimi për çdo drejtues dhe mësues.

Duhet një sistem i ri inspektimi dhe kontrolli të cilësisë së mësimdhënies dhe edukimit. Duhet një rol i ri efikas dhe vendimarrës i prindërve dhe komunitetit.

Mbushja e shkollës me patronazhistë e komandime politike, lënia e saj në dorë të pasionantëve politikë pa vlera njerëzore dhe pedagogjike, duhet të marrë fund”, shkruan mes të tjerash Luçiano Boçi.

SHKARKO APP