Ngacmonte me mesazhe vajzën nga Durrësi, në pranga 33-vjeçari

Një 33-vjeçar është arrestuar nga policia në Fushë Mamurras, pasi akuzohet se ka shqetësuar e fyer vazhdimisht një 24-vjeçare në rrjetet sociale, ndërsa i është gjetur edhe një kallashnikov në banesë. Në pranga është vënë Gentjan Mema, lindur dhe banues në Fushë Mamurras. Sipas policisë, 33-vjeçari hapte llogari false në rrjetet sociale “Facebook” dhe “Instagram”, nëpërmjet të cilave shqetësonte dhe fyente vazhdimisht një 24-vjeçare.

Njoftimi i plotë nga Policia

Operacioni, nga Drejtoria për Hetimin e Krimeve Kibernetike në Departamentin e Policisë Kriminale, në bashkëpunim me DVP Durrës dhe me Komisariatin e Policisë Kurbin, me mbështetjen e Forcës Kombëtare të Sigurisë Njësia Shkodër, në drejtimin e Prokurorisë së Durrësit. Hapte llogari false në rrjetet sociale “Facebook” dhe “Instagram”, nëpërmjet të cilave shqetësonte dhe fyente vazhdimisht një 24-vjeçare, si dhe mbante armë zjarri, pa leje, kapet dhe vihet në pranga 33-vjeçari.

Gjatë operacionit, në Fushë Mamurras, Policia gjeti në banesën e 33-vjeçarit dhe sekuestroi 1 armë zjarri kallashnikov dhe një sasi municioni luftarak. Pas depozitimit të kallëzimit të një shtetase 24-vjeçare nga Durrësi në vitin 2023 mbi shqetësime të vazhduara nga llogari të ndryshme të fallsifikuara në rrjetet sociale “Facebook” dhe “Instagram”, Drejtoria e Hetimit të Krimeve Kibernetike, në bashkëpunim me Prokurorinë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Durrës, e cila regjistroi procedimin për veprën penale “Falsifikimi kompjuterik”, kanë bërë të mundur identifikimin e shtetasit që hapte këto llogari në rrjetet sociale, si dhe është siguruar informacion se ky shtetas mbante armë zjarri, pa leje.

Mbi bazën e provave të siguruara, Gjykata e Shkallës së Parë e Juridiksionit të Përgjithshëm Durrës ka urdhëruar kontrollin e banesës së shtetasit G. M., i dyshuar për hapjen e llogarive false në rrjetet sociale dhe për armëmbajtje pa leje. Nga kontrolli i ambienteve të banesës së këtij shtetasi, në Fushë Mamurras, Kurbin, Policia gjeti dhe sekuestroi 1 armë zjarri tip kallashnikov dhe 2 krehra me 46 fishekë.

Në përfundim të veprimeve, shtetasi G. M., 33 vjeç u arrestua në flagrancë. Materialet procedurale i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Durrës, për veprat penale “Mbajtja pa leje dhe prodhimi i armëve, armëve shpërthyese dhe i municionit” dhe “Falsifikimi kompjuterik”, njofton policia.

SHKARKO APP