Ngec kredia për banesa në zonat e prekura nga tërmeti

Kreditimi i pasurive të patundshme ka ngecur për qarqet e prekura nga tërmeti i 26 Nëntorit. Sipas statistikave të Bankës së Shqipërisë, rezulton se në tremujorin e fundit të 2019-s në qytetin e Durrësit u dhanë vetëm 78 milionë Lekë kredi për individë, të cilat mund të financojnë blerjen e jo më shumë se 20 shtëpive, ndërsa për Lezhën nuk rezulton të jetë dhënë asnjë kredi e re. Në këtë qark, kreditimi u tkurr me 64 milionë Lekë në fund të dhjetorit. Tërmeti ka dhënë efekte edhe në financimin e blerjes së apartamenteve në kryeqytet.

Portofoli i kredisë për shtëpi për individë në Qarkun e Tiranës ka shënuar rritjen më të ulët në pjesën e fundit të 2019-ës, duke u shtuar vetëm me 1 miliard e 147 milionë Lekë, kundrejt një rritje mbi 2 miliardë që ka patur në muajt e tjerë të vitit të shkuar. Rënia e peshës së kredive për blerjen e pasurive të patundshme, bën kontrast me të dhënat e kredisë së re për të gjithë sektorët në fund të Dhjetorit, e cila nga Nëntori në Dhjetor rezulton të jetë dyfishuar. Kreditimi ka shkuar kryesisht për financimin e bizneseve, duke patur si qëllim investimin në pajisje por dhe likuiditetin e firmave. Ndërsa totali i kredisë për financimin e individëve me qëllim blerjen e pasurive të patundshme është tkurrur me 346 milionë Lekë në fund të Dhjetorit.

Kundrejt zhvillimeve të ulta në blerjen e banesave, tregu i qirave ka njohur një zhvillim të shpejtë për Dhejtorin dhe Janarin. Sipas Institutit të Statistikave, çmimi i qirave u rrit me 0.3% në Dhjetor dhe me 1.9% në Janar, kundrejt një periudhe të gjatë që nuk pësonte luhatje.

Swiss Digital Desktop Reklama
Swiss Digital Mobile Reklama

SHKARKO APP

KOHA JONË SONDAZH

Kë do të votonit si kandidat për kryebashkiak në Tiranë?