Ngjarja në Kavajë, Shehi: Autori i porositur. Patronazhistët? Big Brother i paligjshëm, Rama po vepron si Enver Hoxha

Kryetari i LZHK-së Dashamir Shehi, i ftuar në emisionin “Front linë” në “News 24”, nga gazetarja Marsela Karapanço, duke folur për mënyrën sesi PS dhe PD po bëjnë mitingjet, deklaroi se edhe Partia Socialiste po bën fushatë në thyerje të rregullave ndaj Covid.

Shehi deklaroi se militantët e PS pasi mbarojnë mitingjet, puthen e përqafohen me njëri-tjetrin, duke thyer çdo rregull ndaj koronavirusit.

“Kjo fushatë ishte ndryshe, për shkak të koronavirusit. Ajo që bën Basha është e domosdoshme. Pasi të fitojë opozita, të vendosim disa rregulla ndaj Covid-19. Edhe PS nuk mban rregullat ndaj koronavirusit. Pasi mbarojnë mitingjet, puthen me njëri-tjetrin edhe të PS-së. PS-së ja bën mitingun shteti, ndërsa PD-ja është zemërimi popullor. Halli më i madh është largimi i kësaj qeverie. Kjo qeveri duhet larguar një orë e më parë, se ka shkatërruar shëndetin e qytetarëve. Rama nuk ka siguruar as 5 përqind të vaksinave që ka nevojë populli”, tha Shehi.

Dashamir Shehi vlerësoi se Rama ka sjellë vaksina sa për 5 përqind të popullsisë, duke shtuar se më shumë bën propagandë sesa punë.

“Një pjesë e shqiptarëve vdiqën, se kemi në krye një aventurier. Janë vaksinuar vetëm 5 për qind e popullsisë. Rama është kryebandit i kësaj pune, pse i mori nga Arabia. Kjo bëhet për pazare korruptive të Ramës. Edi Rama po orienton Shqipërinë drejt lindjes. Ky do të bëjë propagandë për të mbledhur vota e nuk ka për të marrë gjë”, u shpreh Shehi.

Duke folur për ngjarjen e Kavajës, Shehi nënvizoi se Rama ndjen humbjen dhe përdor njerëz me pistoletë.

“Rama i ka dhënë pushtet botës së pistë. Ramës i duhen njerëz me pistoletë. Rama ka vite që e bën këtë punë. Këta njerëz i duhen Edi Ramës. Autori është në foto me PS, nëse ka qenë me PD-në, PD-ja ka bërë mirë që e ka përzënë. Nuk e mohoj që edhe në PD mund të ketë ndonjë rrugaç. Agresori ka shkuar tek zyra për të bërë detyrën që ka marrë përsipër.

Ky është njeriu i Ramës, shërbëtor i kryetarit të Ramës, nuk ka shkuar në burg, sepse njerëzit e kryeministrit nuk e kanë kapur në kaq vjet. Basha ka mbajtur qëndrim pozitiv. Basha ka thënë se nuk duam dhunë, sepse Rama do dhunë, sepse e ka kuptuar se do humbë. Nuk mund të na rrëzojë neve ai, gjithë opozitën shqiptare. Presidenti s’ka lidhje me këtë gjë. Qytetarët e Kavajës të mos kenë frikë sepse PD  e opozita do të fitojë”, deklaroi Shehi.

Për përdorimin e të dhënave personale, Shehi u shpreh se është e paligjshme dhe tregon se Rama po sillet në pushtet si Enver Hoxha.

“Fitorja jonë është plebishitare, sa edhe rrugaçët do zmbrapsen. Rrih dy vetë dhe merr një tender, këtë gjë bën Rama. Për patronazhimin, mendoj se është e paligjshme. Kjo është vjedhje dhe është bërë tek zyra e Kryeministrit. Kjo është vjedhje e pastër. Është vjedhur nga qeveria dhe është shpërndarë nga Rama. Urdhri është dhënë personalisht nga Rama. Kjo është Big Brother, Rama i bën këto. Zyrtarët e lartë këtu janë me partinë në pushtet. Po vepron si Rama. Kjo është partia që kontrollon shtetin. Edhe në kuzhinë do kemi frikë të flasim me gruan. Ky shtet drejtohet nga një njeri i vetëm, që është Rama. Ky duhet larguar dhe t’ja kthejmë shtetin institucioneve”, vlerësoi Shehi.

Në fund, Shehi kishte një apel për qytetarët, që të mos vijojnë më me këtë pushtet, që e quajti të kriminalizuar, por të votojnë ndryshimin.

“Mua numrin 13 më dhanë dhe e kam pranuar. Është një numër, që disa e konsiderojnë ters dhe disa shans. Ne në Tiranë si opozitë duam 20 deputetë. PD dhe LSI duam të fitojmë 20 deputetë. Kam shpresë që Tirana do i japë zgjidhje vendit. Rama ka abuzuar shumë në Shqipëri. Edhe nëpunësit e shtetit të japin votën për opozitën. Qytetarët të votojnë ndryshimin. Mos t’i përkulemi mizerjes”, përmbylli Shehi.

SHKARKO APP