Ngjarja në Kavajë, sociologu: Jo krim pasioni por akt kriminal
Sociologu Gëzim Tushi, ka komentuar ngjarjen e rëndë ndodhur në Kavajë, ku një person humbi jetën dhe një tjetër mbeti i plagosur, nën motivin krim pasioni. Sipas Tushit kjo ngjarje nuk është krim pasioni, por një akt kriminal, që dëshmon për realitetin ballkanik të ngjarjeve që zhvillohen në vendin tonë. ”Unë nuk e kam parë si krim pasioni por e kam parë si një akt kriminal, pavarësisht rrethanave, komplikacionit të marrëdhënieve që mund të ketë ngjarja që kërkon të zhbirohet me kujdes. Nuk mund të nxjerrim konkluzione pa e analizuar në esencë se si ka qenë kjo ngjarje. Kontradikta të tilla që janë normale në një shoqëri moderne, duke përfshirë dhe këto marrëdhëniet brenda dhe jashtë martesore, lidhjet paralele etj, i kemi dhe ne nuk mund të bëjmë sikur nuk i shikojmë, duhet ti marrim ashtu siç janë. Fakti që një ngjarje e tillë u shoqërua me akte kriminale, kam përshtypjen që dëshmon për realitetin ballkanik të ngjarjeve që zhvillohen në vendin tonë”, tha në ”RtvOra”.