Ngrihet Viktor Tusha. Zbret Vangjush Dako

 
Fushata elektorale  ligjerisht nuk ka filluar, ndonëse  në praktikë përditë shikojmë takime e mitingje të partive politike. Në Tiranë dueli mes Erion Veliaj dhe Halim Kosova duket interesant, paçka se diferenca mes dy fronteve politike është marramendëse për të majtën, shtuar tashmë edhe votat e çamëve dhe të partisë së djathtë të Bamir Topit. Informacionet e besueshme thonë se Edi Rama e ka të sigurtë kryeqytetin , pasi edhe në ndarjen e portofoleve bashkiake ka lenë një post nënkryetari bashkie për FRD e zotit Topi dhe një karrike tjetër nënkryetari për LSI, ndërsa partia e Idrizit ngopet me shumë me poste drejtorë të përgjithshëm.
Por interesante duket gara në dy qytetet bregdetare dhe ndër më të rëndësishmit, Durrësi dhe Lezha. Në ditët e para Vangjush Dako kryetari aktual i bashkisë së Durrësit ishte në avantazh të madh me Grida Dumën e PD-së. E dukej se moskandidimi i Agron Dukës solli entuziazëm në kampin e majtë të Dakos, por sondazhet e bëra këto ditë tregojnë një rritje të frikshme të Grida Dumës për kampin e mazhorancës, aqsa ajo sillet diku rreth 8-9 pikë më shumë se Dako. Analistët tregojnë se në këtë rritje të Grida Dumës është pakënaqësia e votuesve për reformat e Edi Ramës si dhe kohëzgjatja e Dakos në krye të Bashkisë. Por pikë të forta ka marrë kandidatja demokrate edhe nga kampi i Agron Dukës, i cili duhet thenë se ka hyrë aktivisht në fushatë këto ditë pro Gridës, duke sjellë që opozita të jetë në avantazh me kandidatin e mazhorancës. Megjithatë ka ende fushatë dhe pritet reagimi i Vangjush Dakos.
Ndërsa në Lezhë për një supërbashki e cila është një rajon i madh ose sa ishte dikur rrethi i Lezhës, situata ka ndryshuar dukshëm që pas vajtjes së kryeministrit Rama në Lezhë. Duke shtuar edhe punën e deputetëve Monika Kryemadhi e Gjovalin Kadeli, si dhe strategjinë që po ndjek kandidati i mazhorancës, kryetari aktual i bashkisë Viktor Tusha sondazhi tregon se ka një rritje të pabesueshme me plus 7 pikë të Tushës mbi kandidatin e opozitës Fran Frrokaj. Arësyet se përse ka rënie momentale kandidati i PD-së janë disa. Ndonëse të gjithë e pranojnë se është një kandidatur korrekte e së djathtës  po ndodh diçka që Lulzim Basha duhet të ndërhyjë; strukturat e PD-së nuk janë solidare kudo në favor të kësaj kandidature. Moskandidimi i Salvador Kaçaj dhe  Pashk Gjonit, kryetarit aktual të qarkut të Lezhës, të dy emra nga opozita kanë sjellë njëfarë pështjellimi në kupolën drejtuese të PD-së në rrethin e Lezhës. Mungesa e deputetëve të PD-së që fituan në zgjedhjet e 23 qershorit 2013 si dhe lënia në dorën e Aldo Bumçit të krejt fushatës për bashkinë e Lezhës po çon në uljen e tempit të fillimit ku Fran Frrokaj ishte disa pikë mbi kandidatin  Viktor Tushaj. Për Lezhën, e cila ka një mori problemesh, nuk mundet një emër i urtë si Aldo Bumçi të përballojë trysninë gjithnjë në rritje të strukturave të PS+LSI, të cilët duken më të mobilizuara dhe kanë bërë për vete disa struktura dhe emra të PD-së, ndonëse publikisht nuk thuhet.
Fran Frroku i PD-së po punon me mish e shpirt për të krijuar rrjetin e strukturave elektorale për të fituar, por disa fije të PD-së kalojnë nëpër duart e Viktor Tushës që ka me tepër eksperiencë si dhe ka një shtet nga pas me projekte e premtime. Një peshë të madhe në sondazh i shton Viktor Tushës fakti që deputetja Monika Kryemadhi , si deputete e Lezhës, kontakton çdo njeri, edhe atë që nuk e  voton Viktor Tushën ajo shkon shtëpi me shtepi dhe bisedon, pra takon njërëzit direkt. Por PD-ja në bazë në disa zona duket e fjetur, pasi kandidati i tyre stërlodhet edhe për të shpjeguar programin, edhe për të mbajtur bashkuar strukturat e PD-së, edhe për të gjetur naftën për makinën  e tij, edhe për t’u paraqitur entuziast; të gjitha nuk mund ti bëjë një njeri, kurse disa drejtues të PD-së lokale fërkojnë duart për humbjen e njeriut të tyre të vendosur nga Lulzim Basha . Përveç kësaj  ndryshimin e kursit të sondazheve në favor të Viktor Tushës e kanë bërë projektet e mëdha të investuara në qytetin e Lezhës. Dje Viktor Tusha ishte 7 pikë më shumë se kandidati Fran Frrokaj.
 
Nesër e më vonë mbetet të shikojmë nëse PD do të jetë përsëri forca apatike në Lezhë apo do të sjellë “Herkulin demokrat”, siç thonë demokratët lezhjanë, Edi Palokën që mobilizojë strukturat e vyshkura demokrate.

SHKARKO APP