”Ngrin” tenderi për aeroportin e Vlorës, Balluku: Kemi patur një ankimim

Gjatë konferencës së përbashkët me kryeministrin Edi Rama, ministrja e Infrastrukturës dhe Energjitikës, Belinda Balluku u pyet edhe sa i përket ndërtimit të aeroportit të Vlorës dhe çfarë po ndodh aktualisht me këtë projekt.

Zonja Balluku çfarë po ndodh me Aeroportin e Vlorës? Kemi mësuar se është ankimuar tenderi për ndërtimin e aeroportit. A do të sjellë kjo vonesa për shpalljen e fituesit?

Është e vërtetë. Kemi patur një ankimim ditën e djeshme nga një prej operatorëve që janë të interesuar për të garuar në garën e aeroportit ndërkombëtar të Vlorës. Është një procedurë normale. Ne nuk ia heqim dot të drejtën askujt që është pjesë e kësaj gare për të ankimuar. Kështu që ankesa është marrë parasysh nga KPK-ja. Ministria ka nxjerrë urdhërin për ngrirjen sipas afateve në fuqi në bazë të ligjit.

Unë do ta shikoja këtë edhe si një lëvizje pozitive. Ndoshta na shtyn në kohë dy javë, meqë dje ishte dita kur ne të bënim mbylljen dhe të nisnim vlerësimin e ofertave, por fakti që ka operatorë të interesuar që kanë pyetje, bëjnë ankimime, tregon se ka një dinamikë ky proces pasi siç e dini ne e kemi ngrirë atë në muajin mars si pasojë e goditjes që mori sektori dhe pavarësisht se i gjithë komuniteti europian i aviacionit shpresonte se do kishte një ngritje, ajo ishte shumë e vogël.

Dy ditë përpara se të mbyllej zyrtarisht gara ndërkombëtare për të marrë me Koncesion/ PPP ndërtimin e aeroportit të Vlorës, tenderi është ankimuar pranë Komisionit të Prokurimit Publik. Një nga 2 kompanitë fituese (Global Technical Mecanics) të koncesionit për ndërtimin e Aeroportit të Kukësit, ka ankimuar tenderin më 21 dhjetor të këtij viti ndërkohë që gara mbyllej zyrtarisht më datë 23 dhjetor pas një shtyrje 9 mujore për shkak të pandemisë.

SHKARKO APP