Ngritja e Gjykatës Kushtetueses, PS paralajmëron sërish prekjen e Kushtetutës. Shameti: Nëse do jetë e nevojshme, do ndërhyhet
Ngritja sa më parë e Gjykatës Kushtetutese dhe funksionimi me të paktën 6 anëtarë nga 9 të tillë që është përbërja e saj, mbetet sfida prioritare e institucioneve të sistemit të drejtësisë, por edhe politikës.
Në seancën e parë të sesionit parlamentar, kryetari i Kuvendit Gramoz Ruçi theksoi domosodoshmërinë e funksionimit të Kushtetuteses duke nisur nga janari i vitit të ardhshëm. Deklaratë që gjeti menjëherë mbështetjen e ambasadores amerikane Yuri Kim, sipas të cilës ky institucion i drejtësisë duhet të nisë funksionin deri në fund të vitit.
Por bërja funksionale e Gjykatës Kushtetutese po përballet me vështirësi nisur nga procedurat ligjore që duhen ndjekur nga KED.
Deputeti socialist Adnor Shameti, anëtar i Komisionit Parlamantar të Ligjeve apelon e nxit kandidimin e profesionistëve të drejtësisë për të qenë anëtarë të ardhshëm në Kushtetutese.
Shameti deklaroi për News24 se personalisht nuk e konsideron tabu ndërhyrjen në ligje për të zbutur kriteret e kandidimit, nëse do të jetë e nevojshme.
Parlamenti së shpejti do të nisë punën për hartimin e ligjit për organizimin dhe funksionimin e institucionit të Presidentit të Republikës. Ligj, që sipas deputetit Shameti do të adresojë zgjidhjen e ngërçeve të hasura vitet e fundit, sidomos gjatë viteve kur kryetar i Shtetit është Ilir Meta, si për dekretet për ministrat, emërimet në institucionet e drejtësisë apo dekretet për shpalljen e datës së zgjedhjeve.
Pak vite më parë në Kuvendin e Shqipërisë ishte dorëzuar një draft ligjor që saktësonte detyrat, kompetencat e përgjegjësitë e Presidentit të Republikës. Por ajo nisme jo vetëm që nuk u mor asnjëherë në shqyrtim, por u tërhoq me qëllim përmirësimin e saj.