Ngujimi në seli? Grupi i PD nuk dorëzon Ervin Salianjin, deputeti: Do të marr një vendim
Në një kohë që Policia e Shtetit pritet që të ekzekutojë urdhrin e Prokurorisë së Tiranës për burgosjen e deputetit demokrat Ervin Salianji, nga brenda selisë blu janë disa ide se si të veprojnë për ta ndaluar këtë ekzekutim procedurial.
Ka propozime që Salianjin ta mbajnë në seli, të ruhet nga deputetët demokratë që do të qëndrojnë brenda godinës dhe që urdhri të mos ekzekutohet. Propozimi është bërë nga vetë kreu i grupit të PD, Gazment Bardhi. Ngujimi në seli do të jetë 24 orësh, teksa opozita e cilëson si shkelje të Kushtetutës arrestimin apo burgosjen e një deputeti pa autorizim të Kuvendit.
Kështu Bardhi është shprehur para grupit të PD për “mospranimin e padrejtësisë”, teksa propozoi gjithashtu që “grupi parlamentar t’i kërkojë Ervin Salianjit të mos ekzekutojë vendimin politik të Edi Ramës”. Një tjetër propozim ka qenë që “Grupi Parlamentar të ngujohet 24 orë pa ndërprerje, pa afat, në selinë e Partisë Demokratike”.